44 shërbime online në DPSHTRR/ 88 vite dhe 221.8 milionë lekë të kursyera nga gjenerimi elektronik i dokumenteve

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Në vitin 2020 numri i shërbimeve online në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor arriti në 44 shërbime, ndërsa qytetarëve u janë kursyer 88 vite kohë në radhë dhe 221 826 000 lekë, kjo falë gjenerimit elektronik të dokumenteve pa ardhur më në radhë në sportele.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një video informuese mbi lehtësitë që ka ofruar për qytetarët zgjerimi i shërbimeve online në DPSHTRR.
“Mirëmëngjes me disa të dhëna nga lehtësirat për 44 shërbime të DPSHTRR përmes e-Albania, ku ju kemi kursyer 88 vite kohë në radhë e sportele dhe 221,826,000 lekë qytetarëve, thjesht duke përdorur celularin apo kompjuterin kudo ndodhen, ju uroj ditë të mbarë”, tha Rama.

Revolucioni dixhital në e-Albania thjeshtoi 44 shërbime në DPSHTRR në gjithë Shqipërinë.  784 947 shërbime merren tashmë online ose 172 % më shumë se në vitin 2019.

Krahasuar me vitin 2019 janë realizuar 629 % shërbime më shumë për pagesën e taksave vjetore të mjeteve; 115 % shërbime më shumë online me vulë elektronike dhe pa pagesë; 220 % më shumë shërbime informacioni dhe publikimi të dhënash; 330 % shërbime më shumë në kryerje aplikimesh.

Ndërkohë që vlen të kujtohet se në vitin 2018 ofroheshin 4 shërbime të DPSHTRR-së online dhe në vitin 2019 ofroheshin 19 shërbime online./m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.