2 familje të tjera hyjnë në shtëpitë e reja në Zall-Herr/ Familjet në çadra pas tërmetit pakësohen javë pas jave

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Shkurtin e kaluar ishin në çadra 10.023 familje sot janë 865 dhe pakësohen javë pas jave, ashtu si mijëra të tjerë që presin të kthehen në apartamentet e reja.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama teksa u dhuroi çelësin e shtëpive të reja dy familjeve në Zall-Herr, Tiranë.

Prej ditës së sotme dy familje të tjera, ajo e Gëzim Shabanit me 8 anëtarë dhe ajo e Ramazan Xhafës me 6 anëtarë po gëzojnë shtëpitë e reja, të rindërtuara nga e para, shumë më të forta e më të mëdha se banesat në të cilat jetonin më parë.

Procesi i Rindërtimit po vijon me intensitet në Tiranë, ku, jo vetëm shtëpi e shkolla, por dhe lagje të reja po rilindin për t’iu dhënë familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit mundësinë për të jetuar me dinjitet në hapësira të transformuara.

“Edhe këto 865 familje marrin çdo muaj bonusin e qirasë, por kanë zgjedhur të qëndrojnë pranë truallit të shtëpisë së prishur në fshat, për arsye të punës me tokën, të kujdesit për gjënë e gjallë, apo thjesht për zgjedhjen e tyre”, – tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “është kënaqësi shumë e madhe që mund të krijojmë kushte shumë herë më të mira se ato që ishin për familjet që morën këtë goditje nga tërmeti”.

“Në shkurtin e 2020 kishim 10 023 familje në çadër, me shifrat e para një jave janë 825. Sot prapë futen të tjerë, ata që janë në cadër marrin edhe bonusin e qirasë. Do edhe pak kohë dhe do sistemohen të gjithë. Shtëpitë individuale do të mbarojnë pastaj do marrim pak më shumë kohë për apartamentet, por ata që presin të hyjnë në apartamente janë në shtëpi me qira komplet”, – nënvizoi Rama.

Krue i qeverisë u shpreh se “edhe më shpejt do t’i kishim bërë shtëpitë, po të mos na kishte hyrë kjo mortja tjetër në mes, COVID-19”.

Ministri Ahmetaj tha se “deri në fund të majit do të kemi përfunduar 1600 njësi individuale, vetëm bashkia e Tiranës ka 2 mijë, ndërsa jashtë bashkisë së Tiranës janë 2500. Pas vlerësimit Tirana do të ketë edhe 1 mijë të tjera. Do shkojë deri në 5500 njësi individuale. Blloku i parë është vlerësuar, prokuruar, ndërsa blloku i dytë janë familje që kanë qenë në emigrim, nuk kanë besuar dhe nuk e kanë bërë aplikimin, tani ata kërkuan hapjen e sistemit, që ne e hapëm dhe filluan aplikimet”.

Aktualisht në Zall-Herr kanë përfunduar 52 shtëpi, ndërsa po ringrihen edhe 76 banesa të tjera, si dhe një lagje e re me 49 banesa kolektive për ata që humbën shtëpinë nga tërmeti i një viti më parë.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.