Vaksina antiCOVID, Hysi: Opozitës i iku një kalë beteje për fushatë. Mandati i 3 i PS, për të vijuar reformat e thella të nisura

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, theksoi të hënën se  “marrëveshja që ratifikojmë sot në Kuvend për vaksinën antiCOVID ka kushtet e konfidencialitetit, ne kemi të drejtë të njihemi me marrëveshjen dhe çdo detaj të saj, por është sekret shtetëror dhe nuk kemi të drejtë të japim asnjë informacion”.

Në një intervistë televizive, Hysi tha se “ka një procedurë të veçantë për të cilin çdo person që lexon marrëveshjen, nënshkruan që nuk do të nxjerrë asnjë informacion dhe kjo nuk do të thotë që ata do të votojnë qorrazi”.

“Ajo që ka rëndësi për këtë marrëveshje është që ne të japim dritën jeshile, të mos krijojmë barriera dhe të bëhemi të gjithë bashkë. Opozita në një situatë të tillë u vu në pozitë të vështirë se i iku një kalë beteje për fushatë. Para përpjekjeve për të bërë pis çdo gjë në të mirë të shqiptarëve, ne duhet të shohim si duhet të kontribuojmë”, – theksoi Hysi.

Sipas saj, rëndësi ka që vaksina është siguria, është e certifikuar dhe qeveria e institucionet e ngarkuara për vaksinimin kanë garantuar mbajtjen e saj në kushte maksimale.

“Më vjen keq që sa herë ka zhvillime pozitive përpiqemi ta vëmë në dyshim dhe për të krijuar alibi që në Shqipëri nuk bëhen punë të mira. Shqipëria nuk ka qenë keq në politikat e vaksinimit të popullatës dhe fëmijëve dhe kemi të njëjta kritere, por ruajtjen e vaksinave duhet të vlerësojmë ISHP, se të gjithë janë profesionistë”, – shtoi Hysi.

E pyetur se cili do të jetë kali i betejës për Partinë Socialiste në rast se fiton mandatin e tretë, Hysi tha se “fushata nuk ka nisur, por PS është në një proces organizimi me të gjitha strukturat, siç janë edhe partitë e tjera dhe kjo është normale. Ne si deputetë të PS-së po punojmë seriozisht, sepse kemi një garanci shumë të madhe. Në këtë mandat të dytë, por edhe në të parin është bërë një punë e jashtëzakonshme në fusha të ndryshme, për reformat e rëndësishme dhe kemi për çfarë të flasim me qytetarët, kemi çfarë t’u themi për çfarë është bërë”.

“Kemi kurajon për të thënë që këto gjëra të përfshira, këto reforma që kemi premtuar e angazhuar në fushata i kemi bërë, këto reforma janë në proces zhvillimi. Ka reforma që kërkojnë afat dhe një shtrirje kohore të gjatë dhe kjo është një nga arsyet që PS kërkon mandatin e tretë për të vijuar me reformat e nisura, që janë reforma të thella”, – nënvizoi Hysi.

Hysi tha se “po të mos ishte Partia Socialiste disa reforma nuk do të bëheshin”.

“Ka reforma, të cilat kërkojnë guxim, vizion, përkushtim, të kalojnë disa barriera, madje të kapërcesh edhe interesat e elektoratit. Disa nga reformat mund të kenë lënduar, nuk mund t’i kenë ardhur përshtat mbështetësve tanë të majtë, por janë shumë të rëndësishme për vendin tonë, për të ardhmen e Shqipërisë europiane dhe për fëmijët tanë”, – tha Hysi.

Është fakt, vijoi Hysi, nëse do të bëhet një bilanc mes premtimeve dhe realizimeve do shikoni sa shumë janë bërë, por ka gjë një gjë që çdo arritje, çdo sukses në një reformë harrohet lehtësisht, sepse njerëzit mendojnë se kjo është detyra e një qeverie.

“Padyshim që ende nuk është bërë gjithçka që duhet, kemi ende shumë për të bërë, prandaj kërkohet një mandat i tretë për ti vijuar reformat, për ti përmbyllur, por ka edhe shumë gjëra të tjera që janë në fillim dhe kanë nevojë të shkojnë përpara”, – tha Hysi.

Hysi u shpreh se “PS ka shumë kapacitet, është  parti e hapur dhe ka mundësinë që në çdo rreth, apo zonë zgjedhore të ketë përfaqësues të denjë”. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.