Talenti shqiptar/ Ismajlgeci, mbrojtësi që vë kandidaturën për krahun e majtë kuqezi

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Marsel Ismajlgeci i ngjiti shumë shpejt hapat në skenën e futbollit të madh shqiptar. Qysh në moshë të re ai spikati me ekipet e moshave të “Tiranës” dhe arriti të fitojë shansin për t’u provuar në ekipin e parë në Kategorinë Superiore. Një shans që ai e shfrytëzoi më së miri dhe që nga sezoni kaluar ai është bërë pikë referimi e formacionit të klubit kryeqytetas në krahun e majtë të mbrojtjes.

Një ecuri të ngjashme Ismajlgeci ka pasur edhe me ekipet kombëtare të moshave, duke e spikatur që me skuadrat kuqezi U-19 e më pas te Kombëtarja U-21. Në nëntorit të viti të kaluar mbrojtësi i majtë u grumbullua edhe në Kombëtaren A nga trajneri Edy Reja, por fati nuk ishte me të, pasi humbi debutimin për shkak të një dëmtimi që e la jashtë skuadrës në momentet e fundit.

Gjithsesi, 20-vjeçari ka të gjithë kohën e mundshme dhe shanset për të treguar sërish aftësitë me fanellën kuqezi. Në intervistën e tij për rubrikën “Talenti Shqiptar” për Fshf.org, futbollisti kryeqytetas tregon si e nisë aventurën e futbollit dhe momentet më pikante të karrierës së tij.

Ismajlgeci është i qartë për synimet që i ka vënë vetes dhe shpreson që në të ardhmen përmes punës dhe përkushtimit në fushën e lojës të arrijë majat e futbollit.

I pyetur sesi i lindi dëshira dhe pasioni për futbollin, ai theksoi se, “historia ka nisur përpara se unë të lindja. Babai im e ka dashur shumë futbollin dhe ka qenë ëndërr e tij, që nëse do kishte një djalë, ai do të bëhej futbollist. Si çdo fëmijë fillimet e mia kanë qenë duke luajtur në lagje, dhe, përveç dëshirës së babait tim, ai pa që unë kisha dëshirë dhe pasion për futbollin dhe kështu vendosi që unë të shkoja në stërvitje. Çdo gjë që unë jam sot, jam falë Zotit dhe babit tim, që nuk u dorëzua kurrë që unë të jem futbollist”.

Momentin kur mori ftesën e parë nga kombëtarja e moshave dhe debutimi me ngjyrat kuqezi, ai e përshkuan si, “gëzimi më i madh për mua dhe familjen time. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se si jam ndjerë në ato momente, sepse e ëndërroja shume atë thirrje. Kur kam debutuar mbaj mend që kam pasur shumë emocione dhe lutesha vetëm të jepja më të mirën”.

Për të ardhmen e Kombëtares ai theksoi se, “skuadra jonë kombëtare ka lojtarë shumë të mirë, cilësor, punëtor, që janë për t’u marrë shembull dhe besoj se do arrijmë shumë, me punë dhe dëshirë. Ne kemi elemente shumë të mira dhe nuk ka arsye pse të mos arrijmë rezultatet edhe më të larta”.

I pyetur për ecurinë me klubin e “Tiranës”, ai u shpreh se, “Tirana është një skuadër e madhe dhe unë e kam për nder që jam pjesë e klubit bardheblu. Çdo klub ka momentet e tij të vështira, por ne nuk dorëzohemi. Deri në fund do të mundohemi të përmirësohemi dhe të arrijmë objektivat tona”.

Në lidhje me momentin apo episodin më të lumtur në karrierën e tij deri tani, ai shtoi se, “fitimi i titujve kampion kur kam qenë pjesë e ekipeve të moshave të Tiranës, fitimi i titullit kampion në 100-vjetorin e klubit dhe momenti më i veçantë është shënimi i golit në Uefa Champions League sezonin e fundit. Ndërsa për ngjyrat kuqezi, sigurisht thirrja e parë në Kombëtaren A”.

I pyetur në lidhje me sakrificat që ka bërë deri tani për futbollin Ismajlgeci tha se, “unë jam ende i ri, por mund të përmend disa momente, të cilat ndoshta dikush nuk do t’i quajë sakrificë. Ka ndodhur që kam luajtur i dëmtuar, vetëm që unë dhe skuadra ime të arrinim objektivat tona. Çdonjëri nga ne shoqërohet me njerëz të ndryshëm dhe kemi shoqërinë tone dhe shpesh kur miqtë e mi dilnin nëpër festa fundjavave, unë nuk mund t’iu bashkohesha, pasi mendoja që ditën tjetër kisha ndeshje dhe duhet të isha në formë. Kur familjarët e mi janë mbledhur për të festuar diçka apo kanë bërë udhëtime të ndryshme nuk u jam bashkuar, sepse duhet të isha në stërvitje apo duhet të shkoja në ndeshje, dhe kam humbur momente të veçanta. Isha 15 vjeç dhe jam larguar nga familja ime për një periudhe kohe, që të stërvitesha në Greqi dhe ajo ka qenë periudha më e vështirë, që kam kaluar ndonjëherë”.

Lidhur me synimet për të ardhmen ai shtoi se, “dua të punoj fort, të vazhdoj karrierën time jashtë dhe do të doja që një ditë të jem pjesë e klubit të Barcelonës, që është dhe ëndrra ime”.

Sa i përket idhullit të tij në kombëtaren ideale, ai tha se, “nuk është se kam ndonjë idhull, por të gjithë lojtarët për mua janë më të mirët dhe jam me fat që stërvitem me ta. Marcelon e Realit ndjek si shembull, sepse për mua është mbrojtësi i majtë më i mirë në botë”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.