Siguria e vaksinës antiCovid/ Tomini: Është e certifikuar nga institucionet ndërkombëtare

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi sot se vaksina që lufton virusin Sars-Cov-2 është e certifikuar nga institucionet ndërkombëtare, që mbajnë peshën botërore sa i përket edhe aplikimit të vaksinave të tjera, që kanë efektet e cilësisë dhe të sigurisë.

Gjatë një interviste në medie, Tomini bëri të ditur se si çdo vaksinë e re, ka një sistem të vlerësimit të reaksioneve pas reaksioneve anësore dhe vlerësimi i këtij sistemi është shumë i rëndësishëm dhe i aplikueshëm edhe në vendin tonë.

Për programin e vaksinimit në vendin tonë, Tomini theksoi se ka disa skenarë për kombinimin e grupeve prioritare.

Sa i përket vdekjes së 23 personave në Norvegji pasi kanë marrë vaksinën, Tomini u shpreh se nuk është vërtetuar se është vaksina ajo që ka shkaktuar vdekjen e individëve.

“Deri në prononcimin ekzakt edhe të OBSH-së nuk mund të arrijmë në një konkluzion të parakohshëm për t’i vendosur këtij shkaku pasojën që është nga vaksinimi”, u shpreh Tomini. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.