Rindërtimi në Paskuqan/ Tërmeti rrënoi ngrehinat e vjetra, mjedise edukimi të rilindura me standardet më të mira europiane

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Paskuqan, Kamzë, në ambientet e rilindura të shkollës “Jashar Hoxha” dhe kopshtit “Lidhja e Prizrenit”.

“Shkolla ‘Jashar Hoxha’ e kopshti ‘Lidhja e Prizrenit’ mjedise edukimi të rilindura me standardet më të mira europiane, pas tërmetit që rrënoi ngrehinat e vjetra jashtë çdo standardi, duke na bërë më të fortë në mbështetje të fëmijëve, mësuesve e prindërve”, tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje faktin se “në bashkinë Kamëz, janë plot 14 shkolla e kopshte të reja, që po marrin jetë nga themelet, e që do t’ia ndryshojnë përgjithmonë faqen arsimit në këtë zonë”.

Në shkollën “Jashar Hoxha” mësojnë 1100 nxënës. Objekti arsimor u rikonstruktua tërësisht në kohë rekord bashkë me ambientet përreth duke ofruar standarde bashkëkohore.

Ndërsa folën për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhej shkolla para rikonstruksionit, mësuesit thanë se tashmë shkolla është e mirëpajisur me gjithë bazën materiale edhe në laboratore përveç investimeve në godinë.

Kryeministri vizitoi edhe ambientet e kopshtit “Lidhja e Prizrenit” me një kapacitet prej 200 fëmijësh. Rama kërkoi që të vendoseshin kritere në regjistrimin e tyre, duke i dhënë prioritet familjeve në nevojë. /m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.