LONDËR – Kompanitë britanike kërkojnë shpëtimin e “Eurostar”

LONDËR, 18 janar /ATSH-AFP/ – Drejtuesit e kompanive të Londrës i kërkojnë qeverisë britanike të marrë pjesë në shpëtimin e Eurostar, kompania hekurudhore e dëmtuar nga pandemia e COVID-19 dhe që thotë se po luan për mbijetesën e saj.

“Eurostar ka nevojë për një veprim të shpejtë për të shpëtuar të ardhmen e saj”, deklaroi organizata e punëdhënësve “London First” në një letër dërguar për ministrin britanik të Financave, Rishi Sunak.

Kjo letër u nënshkrua nga 25 drejtues dhe akademikë.

“London First” po i kërkon qeverisë të ofrojë ndihma të ngjashme, si ulje taksash, qasje në kredi, me ato të dhëna kompanive me pamje strategjike që përballen me të njëjtën situatë, siç janë aeroportet.

Organizata shpjegon se kompania mund të ketë mungesë parash në muajt e ardhshëm.

“Pa financime shtesë nga qeveria, ka një rrezik të vërtetë për mbijetesën e Eurostar”, theksoi një zëdhënës i kompanisë në reagim të kësaj letre.

Eurostar tashmë përfitoi në fund të vitit 2020 nga një injektim prej 200 milionë eurosh nga aksionerët e saj.

Ministria Britanike e Transportit konfirmoi se qeveria ka ndërvepruar shumë dhe rregullisht me Eurostar që nga fillimi i epidemisë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me ta, ndërkohë që do të ndihmojmë në një rifillim të sigurt dhe rifillimin e udhëtimeve ndërkombëtare”, theksoi një zëdhënës i ministrisë.

Deri tani, Eurostar ka qenë një simbol i suksesit të linjave TGV në Europë.

Por kompania, që posedohet në pjesën më të madhe nga SNCF, është paralizuar tashmë nga pandemia e COVID-19, platformat dhe instalacionet speciale në Paris, Londër dhe Bruksel janë pothuajse të shkreta./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.