Investimet në sistemin e kanalizimeve/ Balla: Nuk ishte ndërhyrë që kur Librazhdi filloi të ngrihej si qytet

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte sot në Librazhd, ku edhe pse me temperatura tejet të ulëta, po punohet në sistemin e ri të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe ujit të pijshëm, në të cilat nuk ishte investuar prej kur Librazhdi filloi të ngrihej si qytet”.

Bashkë me drejtuesit e AKUM, KfW dhe kompanisë zbatuese, Balla pa nga afër hapësirat publike dhe punën për sistemimin e tyre sipas standardeve. Ai garantoi se çdo shesh dhe çdo rrugë do të sistemohet.

“Sistemi i vjetër i kanalizimeve ishte kthyer në një minë me sahat, jo vetëm sa herë binin shirat, por një rrezik akut ndotjeje dhe sëmundjesh ngjitëse. Falë vëmendjes së qeverisë Rama dhe një kredie nga qeveria gjermane (KfW) prej 7.2 milionë euro, Librazhdi do të ketë edhe rrjetin më modern të kanalizimeve, qoftë të ujit të pijshëm, qoftë të ujërave të zeza”, tha Balla.

Ai theksoi se “këto kanalizime janë investimi më i madh i kryer në qytetin tonë, duke kërkuar shtrirjen e tubacioneve në rrugë dhe sheshe pallatesh, deri në çdo banesë”.

“Pas përfundimit të punimeve nëntokësore, të gjitha hapësirat publike mbi tokë do të rishtrohen me asfalt dhe risistemohen me pllaka sheshet e pallateve. Më vjen mirë që banorët bien dakord se ky “operacion” në nëntokën e qytetit tonë ishte i domosdoshëm”, shtoi Balla.

Ndoshta, vijoi ai, edhe mund të jenë bezdisur nga punimet, por kjo ndërhyrje në rrjet ishte si një ndërhyrje kirurgjikale urgjente.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.