Fiskalizimi/ Denaj në Sarandë: Pranë çdo biznesi për ta zbatuar në mënyrë korrekte

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë po vijon takimet me biznesin dhe grupet e interesit për të diskutuar mbi problematikat që mund të kenë hasur për implementimin e procesit të Fiskalizimit.

Ministrja Anila Denaj ishte në Sarandë ku u takua me kontabilistët e këtij qyteti.

“Procesi i Fiskalizimit ka pak që ka nisur dhe ne po vijojmë takimet njohëse dhe informuese me të gjithë aktorët e përfshirë. Me kontabilistët e qytetit të Sarandës biseduam për risitë e këtij procesi, afatet, nevojën për të përmirësuar administrimin fiskal dhe reduktuar informalitetin”, tha Denaj.

Ministrja siguroi se administrata tatimore do të ishte pranë çdo biznesi, për ta kuptuar drejt këtë proces, si dhe për ta zbatuar atë në mënyrë korrekte.

Reforma e Fiskalizimit krijon një mekanizëm të mbikëqyrjes në kohë reale, të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre pa para në dorë.

Prej datës 1 janar, faturat që lëshohen për entet publike/shtetërore duhet të jenë fatura elektronike, të cilat shkëmbehen nëpërmjet platformës qendrore të faturave.

Ky është hapi i parë i përshtatjes me një sistem novator, që lehtëson dhe përshpejton proceset e punës dhe komunikimin me Administratën Tatimore.

Më datë 1 korrik 2021 do të nisë Fiskalizimi për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve. Më datë 1 shtator 2021 do të nis për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.