Ecuria e pandemisë/ Shqipëria mbetet një histori pozitive, sistemi shëndetësor ka dëshmuar qëndrueshmëri

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, duke folur pë procesin e vaksinimit antiCOVID gjatë seancës parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes me “Pfizer”, u ndal edhe tek situata e pandemisë në vend dhe efektet që pritet të sjellë vaksinimi.

“Vaksinimi ka dy efekte të menjëhershme, njëri i drejtpërdrejtë te ai që vaksinohet dhe tjetri ai i këputjes së nyjes sistematike të zinxhirit”, u shpreh Rama.

Sipas studimeve të bëra, shtoi Kryeministri, rritja e përqindjes së individëve të vaksinuar sjell një ulje të vazhdueshme thuajse simetrike të personave të prekur me 2 apo 3 herë.

“Kjo na jep mundësi ta shikojmë me shumë optimizëm 6-mujorin e 2 të këtij viti, duke patur parasysh që procesi do të ecë i patrazuar nga luhatjet e kompanisë në furnizim”, shtoi Rama.

Rama iu përgjigj edhe skeptikëve mbi sigurinë e vaksinave.

“Në momentin që kompania do të sjellë furnizimin e parë prej 10 700 vaksinash do të ndjekim të njëjtin proces si vendet e tjera për të hequr edhe çdo sekëlldi të krijuar nga gjithëfarëlloj tralala në medie. Kam biseduar me ministren që sidoqoftë në momentin kur pjesa që ka bërë vaksinimin do të duhet të rikthehet për të marrë dozën tjetër, unë po, cilido që është i gatshëm ta bëjë një transparencë mbi antitrupat për të parë që realisht vaksina është marrë ajo që thuhet dhe që vaksina ka bërë të gjithë efektin e parashikuar”, u shpreh Kryeministri.

Rama hodhi poshtë edhe pretendimet e ngritura nga disa analistë, siç i quajti ai, se në vend të vaksinës i është injektuar ujë fiziologjik. Rama tha se marrja e dozës së dytë do t’u krijojë atyre mundësinë të ndjehen të garantuar nga faktet.

Më tej, Kryeministri u shpreh se përtej të gjitha vështirësive e momenteve aspak të lehta në të gjithë këtë përpjekje që tanimë po mbush vitin, Shqipëria mbetet një histori pozitive.

“Nuk kam parasysh thjesht e vetëm me çfarë mund të ndodhte, nëse do të kishim po ato spitale, infrastrukturë, logjistike e kapacite të mbrojtjes së mjekëve 7 vite më parë, por kam parasysh edhe raportin e shifrave dhe fakteve mes vendit tonë e vendeve të tjera të rajonit apo në një kornizë më të përgjithshme, të Europës. Nëse sot Shqipëria ka një numër fatalitetesh që nuk ka shkuar përtej skenarëve të parashikuar e nuk i është afruar skenarit katastrofik për asnjë moment, skenar që ka ndodhur në vende shumë më të zhvilluara e fortë se i yni ashtu sikundër e njëjta gjë mund të thuhet edhe për kapacitetin e të gjithë trupës së angazhuar në vijën e zjarrit për të pritur e trajtuar me sukses të gjithë ata që kanë patur nevojë për trajtim spitalor”, deklaroi kreu i qeverisë.

Rama vuri në dukje se ne kemi arritur të krijojmë një ekuilibër pozitiv për shëndetin dhe pozitiv për ekonominë.

“Mjafton të shikojmë kalendarin krahasimor mes shumë vendesh, duke përfshirë edhe vende që edhe sot kanë masa shtrënguese të forta në fuqi dhe flasin për t’i shtrënguar ato edhe në vijim, ndërkohë që me siguri strategjia e masave edhe të gjitha lëvizjet e bëra kohë pas kohe me shtrëngimin e lehtësimin e tyre dhe përgjigja përgjithësisht fantastike e qytetarëve na ka dhënë mundësinë që deri sot të kemi bilanc pozitiv që duhet konsoliduar në vijim, pasi vaksinimi do të kërkojë kohën e vet dhe nuk është po aq i lehtë sa vaksinimi i gripit të stinës”, u shpreh Kryeministri.

Kryeminsitri vuri në dukje se e gjithë përpjekja e strukturave tona do të përqendrohet për të realizuar skenarin më ambicioz.

Më tej, Kryeministri theksoi edhe se sistemi ynë shëndetësor ka dëshmuar qëndrueshmëri, aftësi performuese dhe mbi të gjitha, falë ekspertëve tanë të Komitetit Teknik, largpamësi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.