Ambasada e SHBA-ve: Strategjia për rishikimin funksional të sistemit të drejtësisë, moment historik

PRISHTINË, 18 janar/ATSH/ Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial kanë finalizuar strategjinë e rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar duke theksuar se kjo është e rëndësishme për forcimin e sundimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Sot Ministria e Drejtësisë shpalosi strategjinë dhe planin e veprimit për Rishikimin Funksional, një moment historik i rëndësishëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë”, thuhet në deklaratën nga ambasada.

“Përmes katër qeverive dhe katër ministrave, Ambasada ka qenë krenare që ka mbështetur këtë ndërmarrje masive. Sidoqoftë, ky nuk është fundi i këtij procesi. Ne e nxisim qeverinë e re, sapo të formohet, të miratojë dokumentet përfundimtare dhe që institucionet përkatëse të Kosovës të përqafojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha rekomandimet. Ky nuk është një proces politik, por i drejtuar nga institucionet e Kosovës. Reforma në drejtësi do të përfitojë të gjithë njerëzit në Kosovë”, deklaroi ambasada e SHBA-së./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.