“Shëndeti i nxënësve prioritet”/ Kushi: Protokollet antiCOVID parashikojnë edhe vetëm ajrosjen e klasave 5-6 herë në ditë

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi deklaroi sot se “shëndeti i nxënësve dhe stafit mësimor është prioritet kryesor”, ndaj dhe kujtoi se “protokollet antiCOVID përcaktojnë se dritaret duhet të mbahen të hapura ose të paktën të ajrosen 5-6 herë gjatë kohës së mësimit”.

“Duke marrë shkas nga temperaturat e ulëta në të gjithë vendin, si dhe shqetësimet e drejta të prindërve, ndjejmë të nevojshme të nënvizojmë se Udhëzuesi për fillimin e vitit shkollor 2020-2021, në respekt të udhëzimeve të MSHMS, duke marrë parasysh edhe ndyshimet e temperaturave sipas stinëve, nuk kërkon në mënyrë absolute mbajtjen hapur gjatë gjithë kohës të dritareve, por lejon edhe ajrosjen e klasave disa herë gjatë ditës”, tha Kushi.

Më saktësisht, Kushi theksoi se “në të shprehet qartë se: “dritaret duhet të mbahen të hapura ose të paktën të ajrosen 5-6 herë gjatë kohës së mësimit”.

Prandaj, tha Ministrja, “kërkojmë nga të gjitha Institucionet Arsimore që të kenë në vëmendje zbatimin e këtij udhëzimi, duke u kujdesur maksimalisht edhe për mbajtjen e një temperature konstante në klasë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve”. /m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.