Rindërtimi në Mamurras/ Gjimnazi “Arif Sulaj” po rilind më i madh dhe më i bukur se para tërmetit

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Mamurras Kurbin, në kantierin e shkollës së re që po rilind më e madhe, më e bukur dhe më e fortë.

Gjimnazi “Arif Sulaj” në Mamurras po rindërtohet nga e para me kushte dhe standarde europiane.

Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara theksoi se edhe para tërmetit të 26 nëntorit godina e gjimnazit kërkonte rikonstruksion, ndërkohë që nga tërmeti pësoi dëmtime të mëdha.

“Në këtë shkollë mësojnë 430 nxënës dhe godina është e konceptuar me 3 kate mbi tokë dhe një kat të nëndheshëm, ku do të vendosen palestra dhe terren sportive. Shkolla ka 13 klasa dhe 4 laboratore dhe është pajisur me sistemet e ngrohjes. Është një shkollë e  madhe ndaj ehde punimet janë në këtë fazë”, tha Cara.

Ajo theksoi se toka mbante shumë ujë, ndaj dhe është punuar fillimisht me gjithë drenazhimin e tokës.

“Besoj se shumë shpejt kjo shkollë do të dorëzohet e re për t’iu rikthyer nxënësve”, tha Cara.

Ndërkohë kryebashkiakja e Kurbinit informoi se janë montuar skelat për rikonstruksionin e  fasadave të pallateve, një lagje tjetër ku po investohet me buxhetin e bashkisë. /m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.