PORTUGALI – Votim i parakohshëm presidencial për mijëra qytetarë për shkak të Covid-19

LISBONË, 17 janar /ATSH-AFP/ – Mijëra votues portugezë shkuan sot në qendrat e votimit për të marrë pjesë në votimin e parakohshëm presidencial të 24 janarit, me një numër rekord të votuesve të regjistruar, tre ditë pas fillimit të një bllokimi të dytë të përgjithshëm për të parandaluar Covid-19.

Në Lisbonë, pak pas hapjes së qendrave të votimit, radhët u formuan para ndërtesave të kampusit universitar ku votuesit, të maskuar dhe duke u përpjekur të respektonin një distancë prej më shumë se një metër nga njëri-tjetri, prisnin radhën e tyre për të votuar.

“Unë jam një student në Lisbonë dhe për shkak të izolimit nuk ishte e lehtë të shkoja në qytetin tim në veri të vendit për të votuar”, tha Andreia Gonçalves, 22 vjeçe.

Pak më tej, Maria Amélio Gracio, një 70-vjeçare që lëviz me vështirësi, gjithashtu pret radhën e saj.

Kjo pensioniste, e identifikuar në një qytet gati 200 kilometra nga kryeqyteti, preferoi të votojë në Lisbonë ku jeton me vajzën e saj për të shmangur udhëtimet në kontekstin aktual.

Për këto zgjedhje, janë shtatë kandidatë në garë.

Sondazhet parashikojnë rizgjedhjen e presidentit konservator, Marcelo Rebelo de Sousa që në raundin e parë.

Në Portugali, presidenti i republikës zgjidhet me votim universal për një mandat pesëvjeçar, i rinovueshëm vetëm një herë. Ai nuk ka fuqi ekzekutive, por luan rolin e arbitrit në rast krize politike./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.