KOMENT – Conte përpjekje maksimale për mënjanimin e zgjedhjeve të reja

ROMË, 17 janar /ATSH-DPA/ – Kryeministri i Italisë po bën përpjekje maksimale për të gjetur aleatë të mundshëm për të mbajtur qeverinë e tij në këmbë, vetëm një ditë para një votëbesimi që mund të detyronte administratën e tij të dilte nga zyra dhe të çonte vendin në zgjedhje që mund të favorizonin të djathtën.

Problemet e Giuseppe Contes filluan kur partia ”Italia Viva” e ish-kryeministrit Matteo Renzi u tërhoq nga koalicioni qeverisës, duke ia mohuar shumicën kryeministrit.

Renzi është përplasur ashpër me Conten në një luftë rreth mënyrës më të mirë për të përdorur fondet e BE-së që dërgohen në Itali për ta ndihmuar atë të trajtojë goditjet ekonomike të pandemisë së koronavirusit.

Renzi dëshiron më shumë investime në sistemin e shëndetësisë, ndërkohë që qeveria  kërkon të ketë më shumë fonde emergjente.

Në një intervistë me ”La Repubblica”, Lars Feld, kreu i një paneli kryesor gjerman të ekonomistëve, thotë se kërkesat e Renzit janë në thelb të drejta, “por provokimi i një krize qeveritare rreth tyre është pak i ekzagjeruar”.

”Italia Viva” kishte vetëm dy ministra në koalicionin qeverisës, por largimi i tyre është i mjaftueshëm për t’i marrë shumicën Contes.

Nëse Conte nuk mund të gjejë një partner tjetër për aleancën e tij të qendrës së majtë ose të gjejë një marrëveshje me Renzin, zgjedhjet e reja janë pranë.

”Një votim i ri mund të jetë i favorshëm për populistët e krahut të djathtë të vendit”, tha Feld.

Sidoqoftë, ka gjithashtu shpresë se Conte mund të bashkojë një koalicion të ri, i treti që nga marrja e detyrës në 2018 ose të gjejë një mënyrë për të krijuar një qeveri të unitetit kombëtar.

Ai ka planifikuar t’u drejtohet të dy dhomave të parlamentit në dy ditët e ardhshme./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.