“Eksportet bujqësore u rritën me 9.6%”/ Ekonomi për ATSH-në: Sfida jonë të mbajmë trendin, me skemat mbështetëse nxisim cilësinë

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Mbështetja dhe vijimi i trendit në rritje të eksporteve bujqësore, është në një ndër sfidat kryesore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për vitin 2021.

Milva Ekonomi, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u shpreh se “bujqësia padyshim është një sektor që ka sfida dhe ajo më kryesorja, është që të mbajmë ritmin e rritjes së eksporteve, por edhe ta rrisim atë më tej”.

Në një intevistë për ATSH-në, Ekonomi theksoi se “fakti që edhe në këtë vit pandemik, bujqësia ishte një nga sektorët që tregoi se kishte potencial, është një lajm shumë i mirë jo vetëm për ekonominë rurale, por edhe atë kombëtare”.

“Në muajin e 11 të vitit 2020, eksportet bujqësore shqiptare u rritën me 9.6% në vlerë dhe kjo tregon se sektori ka qenë shumë i organizuar dhe i ka dhënë kontribut shumë të mirë, Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB)”- tha ajo.

Ministrja Ekonomi, vlerësoi se është me rëndësi mbajtja e këtij ritmi rritjeje dhe për këtë arsye theksoi ajo “të gjithë skemat mbështetëse që ka dhënë qeveria janë drejtuar në rritjen e cilësisë së produkteve bujqësore, fara dhe fidanë më të mire, por edhe në shtimin e pikave të grumbullimit, ku produktet që prodhojnë fermerët të mund të kenë më shumë mundësi për të shkuar në tregje të tjera ndërkombëtare”.

Duke u ndalur në zgjerimin e tregjeve të shitjes, pikave të grumbullimit me standarde bashkëkohore, si hallkë kryesore në zinxhirin e eksporteve bujqësore, ministrja bëri të ditur se “në këtë periudhë 4-vjeçare janë shtuar 75 tregje të reja për produktet bujqësore në Shqipëri”.

“Rritja eksporteve bujqësore dhe qendrave të grumbullimit është një fakt shumë pozitiv, ndaj sfida jonë është të mbajmë këtë ritëm rritje dhe ta çojmë atë më tej”- deklaroi Ekonomi për ATSH-në. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.