Beteja e mjekëve në luftë me pandeminë e në shërbim të qytetarëve/ ATSH ndjek një ditë pune në Poliklinikën nr.9

TIRANË, 17 janar/ATSH-Bledi Naska/ Beteja e mjekëve në luftë me pandeminë e në shërbim të qytetarëve vijon pa u ndalur edhe në poliklinikat e vendit me përkushtim duke i ardhur në ndihmë atyre për probleme të ndryshme shëndetësore.

Për t’u njohur më nga afër me punën e tyre Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte pranë Poliklinikës nr. 9 në kryeqytet ku ndoqi nga afër një ditë pune të mjekes pediatre, Anila Bregu Sevdari.

“Një mjek e ka ditën shumë të bukur, të ngarkuar me shumë përgjegjësi, sidomos kur je prind vetë, të punosh me fëmijët është një përgjegjësi e madhe. Ne atë punë bëjmë sapo vijmë në mëngjes dhe derisa e mbyllim orarin tonë. Kemi të bëjmë me prindër të shqetësuar që mund të kenë kaluar natën pa gjumë me fëmijë që mund të kenë temperaturë, mund të kenë shenja të tjera sic është kolla, mund të kenë shqetësime të tjera që e kanë detyruar një prind që të vij deri tek neve. Gjëja e parë që ne bëjmë është ta qetësojmë prindin. E dëgjojmë me shumë vëmendje sepse pjesa më e madhe e diagnozave vendosen në bashkëbisedimin me prindërit. Pastaj bëhet me hapa edhe vizita, duke e parë në ekzaminimin objektiv gjatë shenjave që referon vetë prindi dhe çfarë shohim ne si mjek. Ne jemi në shërbim parësor dhe jemi vija apo linja e parë që presin të gjithë prindit me shqetësimin e tyre, për veten e tyre, por edhe për fëmijët. Në shërbim parësor për pediatrinë konkretisht. Kështu që punën e kemi vetëm më fëmijë. Fëmijët i mbulojmë nga moshat nga 0 deri në 18 vjeç. Pra janë moshat më të vështira që kanë problematikat nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato të rritjes, të moshës, hormonale e psikologjike. Që nga bebe që fillojnë që nga vaksinimi dhe i ndjekim me hapa zhvillimin e tyre normal”, tregon për ATSH mjekja pediatre.

Ndodhemi në periudhën e dimrit dhe është sezoni kur mjekët përballen edhe me një fluks më të shtuar të pacientëve. Është një zezon i cili shpesh bëhet shkak për diagnoza të ndryshme.

“Vetë problematikat janë sezonale. Pra kemi të bëjmë me sezonin e dimrit, fëmijët mund të kenë diagnoza të ndryshme. Gjëja e parë që e shqetëson një prind është temperatura, mund të jenë fëmijë që kanë kaluar 1,2 ose 3 ditë me temperaturë. Në këto raste vetë prindi paraqitet sepse ka shumë merak për fëmijën dhe temperaturat vijnë nga shkaqe të ndryshme që mund të jenë faringitet, pra skuqja e fytit, mund të kemi bronkitet, probleme me rrugët e sipërme respiratorë, këto janë më të ndjeshmet dhe në këto raste edhe ne vetë si mjek por edhe si prind kemi më tepër vigjilencë për t’i dhënë drejtimin dhe diagnostifikimin e duhur fëmijës. Në sezonin që jemi përveç problematikave që kanë fëmijët në rritje mungesa e ushqyerjes, anemitë apo parazitozat apo sëmundjet infektive që vijnë nga jeta në kolektivitet, dmth nga çerdhja , kopshti apo shkolla mund të vëmë një diagnozë diferenciale me aq sa mundemi në një vizitë apo ekzaminim klinik të Covid-it, pra për ta diagnostifikuar sa më shpejt si diagnozë, si sëmundje ku edhe prindërit janë shumë të ndjeshëm në këtë drejtim”, vijon mjekja.

Përveç sëmundjeve sezonale, këtë vit mjekët tanë po përballen edhe me atë që është emërtuar si Armiku  i Padukshëm i cili ka edhe ai specifikat e veta si diagnozë. Janë mjekët e poliklinikave të cilat e konstatojnë të parët këtë diagnozë dhe më pas e referojnë më tej nëse është e nevojshme.

Për këto raste mjekja pediatre Anila Bregu Sevdari shprehet për ATSH-në se, “nuk përjashtohet mundësia që fëmija të jetë i infektuar me Covid. Në momentin që nuk shfaqin simptoma dhe mund të jenë mbartës, ne këtu frikësohemi, jo vetëm për fëmijët por edhe personave asimptomatikë që mund të përhapin infeksionin. Tek fëmijët ndodh pak më shpesh kjo për shkak të imunizimit të hershëm që kanë dhe simptomatikës më të ulët. Në momentin që shfaq komplikacione edhe fëmija shfaq pothuajse të njëjtën ecuri si një i rritur, për fatin tonë të mirë nuk kemi fëmijë që kanë shkuar keq madje kemi fëmijë të paktë që janë diagnostifikuar me Covid dhe janë fëmijë të kapur rastësisht apo janë fëmijë të familjarëve që janë të sëmurë me Covid. Si arrijmë ne ta dallojmë? Është çështja e diafnozës diferenciale, përveç shenjave klinike, një sy i një mjeku i cili është mësuar pas kaq muajsh, sepse ne po bëjmë muaj me këtë diagnozë dhe jemi bërë ekspert nga ç’kemi qenë në fillim, e dimë më mirë se çfarë të kërkojmë nga analizat, dimë se çfarë të kërkojmë nga ekzaminimet imazherike. Të gjitha bashkë, shenjat klinike, laboratorike, imazherike na ndihmojnë neve që të vendosim një diagnozë. Përveç këtyre kohët e fundit ne kemi futur testin e shpejtë dhe në ato raste kur dyshojmë se pacientët mund të jenë bartës apo pozitivë, i referojmë në test të shpejt”.

Për shkak të COVID-19 qytetarët janë disi të frikësuar për të shkuar në poliklinika por mjekja pediatre thekson se besimi tek mjeku duhet të jetë po ai që ka qenë edhe më parë.

“Ne ofrojmë shërbim shëndetësor për të gjithë pacientët që mbulon qendra jonë shëndetësore per ata që janë të zonës, por edhe për ata që kanë nevoja urgjente, pra funksionon dhe pacienti këshillohet që të vij të marri ndihmën pa qenë i frikësuar se këtu përveç ndihmës mund të marri edhe infeksion. Personeli ka qenë gjithmonë në shërbim, ne përfshihemi në shqetësimin e personave që vijnë dhe mundohemi që të bëjmë më të mirën tonë. Këtë gjë pacientët e kanë kuptuar prej kohësh por në këtë periudhën e pandemisë jemi neve që e kuptojmë që e kanë më të rritur besimin dhe i kanë varur shpresat tashmë tek mjeku edhe tek Zoti”, përfundoi mjekja pediatre./a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.