Strategjia ndër-sektoriale për luftën kundër terrorizmit/ Kuko: Dokument themelor i vizionit të qeverisë kundër këtij fenomeni

TIRANË, 16 janar/ATSH- A. Fortuzi/- Strategjia ndër-sektoriale për luftën kundër terrorizmit, është një dokument që përfshin të gjithë vizioni themelor të qeverisë shqiptare ndaj këtij fenomeni. 

Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko, duke folur për strategjinë ndër-sektoriale për luftën kundër terrorizmit

“Terrorizmi në të gjitha format dhe mënyrën e shfaqjes përbën një kërcënim të përgjithshëm për paqen dhe sigurinë globale. Siguria kombëtare përfaqëson tërësinë e mjeteve dhe instrumentave shtetërore që sigurojnë mbrojtjen e qytetarëve, të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar nga kërcënimet dhe rreziqet e jashtme e të brendshme. Terrorizmi vazhdon të mbetet një nga kërcënimet kryesore të sigurisë, si në nivel vendi po ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, duke kërcënuar jo vetëm jetën dhe pronën, por edhe vlerat demokratike e vetë mënyrën e jetesës së shoqërisë”, thekson ajo.

“Qëllimi i dokumentit është orientimi i politikave dhe forcimi i qasjes gjithëpërfshirëse në parandalimin, mbrojtjen, ndjekjen dhe reagimin ndaj terrorizmit. Hartimi i kësaj strategjie, e cila mbështetet në strategjinë e BE kundër terrorizmit, synon harmonizimin e veprimtarisë së strukturave, agjencive dhe institucioneve që kanë përgjegjësinë e luftës kundër terrorizmit”,- shton Kuko.

“Parandalimi dhe goditja e terrorizmit vazhdon të mbetet një ndër prioritetet kryesore strategjike. Strategjia e re kundër terrorizmit si dhe masat e tjera legjislative dhe politike në kuadër të kësaj fushe janë të ndërlidhura me Prioritetin e Qeverisë të parashikuara në SKIZH 2015-2020, gjithashtu ndërlidhet me procesin e integrimit europian, që do të bazohet në tre qasje kryesore: Sinjalizimi/Parandalimi; Hetimi dhe goditja; Reagimi”,- sqaron Kuko.

“Për të zbatuar efektivisht Strategjinë Kombëtare për Luftën Kundër Terrorizmit do të funksionojë Komiteti Ndërinstitucional për Bashkërendimin e Veprimeve në Luftën Kundër Terrorizmit”, -përfundon Kuko.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.