Shkodër, vijon puna nga mjetet e ushtrisë për zhbllokimin e aksit Bogë-Qafë Thore

TIRANË, 16 janar/ ATSH/ Në qarkun e Shkodrës vijon të punohet nga mjetet e ushtrisë për zhbllokimin e aksit rrugor Bogë-Qafë Thore, ndërsa Aksi Tamarë – Vermosh është i kalueshëm vende-vende me zinxhir, pasi ka akull dhe trashësia e borës shkon deri në 1m, por vijon pastrimi.
Prefektura e qarkut Shkodër në vëmendje për të gjithë ata që duan të udhëtojnë këtë fundjavë në qarkun Shkodër informoi sot mbi situatën e rrugëve.
Sipas prefekturës, në fshatin Obot ka prezencë uji dhe kalimi është I mundur vetëm me mjete të larta, ndërsa rruga për në fshatin Vig është e prishur dhe kalohet me shumë vështirësi.
Po ashtu ka prezencë uji në disa rrugë të Velipojës, Shirq, Darragjat, Mjedë, Bushat, Mali i Jushit akset Baks–Rrjoll.
Aksi rrugor Qafë Mali-Fierzë ka pasur rreth 15 cm borë, por rruga është e kalueshme normalisht si dhe në fshatin Arst ka plasaritje të rrugës dhe nuk rekomandohet kalimi i mjeteve të rënda.
Aksi Katund–Koderbojë momentalisht është i bllokuar pasi ka shembje të masivit të dheut, ndërkohë po punohet për pastrimin dhe zhbllokimin e tij.
Rrugët rurale Pukë-Kabash dhe Fushë-Arrëz-Iballë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa rruga Kabash-Rrape kalohet vetëm nga mjete të larta me zinxhirë./k.s/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.