Koordinatorja e vaksinimit: Injektimi i dozave vijon edhe përgjatë fundjavës, 8 postacione në stadiumin ”Air Albania”

TIRANË, 16 Janar/ATSH/ Procesi i vaksinimit do të vijojë edhe përgjatë fundjavës teksa aktualisht po punohet në 8 postacione në stadiumin ‘’Air Albania’’.

Manjola Shtylla, koordinatore për vaksinimin thotë se ‘’ edhe sot vazhdojmë procesin e vaksinimit. Do të vazhdojmë edhe ditën e dielë. Çdo ditë jemi në proces vaksinimi. Mesatarisht, vaksinohen mbi 50 persona në ditë’’.

‘’Vaksina vjen nga ISHP çdo ditë, e shoqëruar nga Forcat e Policisë.Atje ruhet në temperaturën -80 gradë, vjen sasia ditore dhe konsumohet brenda ditës. Këtu e ruajmë në temperaturën 2-8. Një flakon përdoret për 6 doza’’, vijon ajo.

‘’Deri në ditën e gjashtë, nuk kemi pasur asnjë person me efekte anësore. Personi para se të vaksinohet kalon tek zona, merret pyetësori që shihet nga mjeku për efekte anësore ose kundër indikime dhe më pas kalon tek procesi i vaksinimit. Kemi vaksinatore një infermiere, kryhet vaksina, jepet karta dhe data e dozës së dytë. Më pas jemi tek zona e pritjes, kur presim për ndonjë kundër indikacion dhe kemi të shoqëruar nga Urgjenca Kombëtare. Momentalisht po punohet në 8 postacione’’, përfundon koordinatorja.

Sot është dita e gjashtë që prej fillimit të procesit të vaksinimit antiCOVID në vendin tonë dhe deri tani janë vaksinuar 308 mjekë, infermierë dhe personel shëndetësor të 4 spitaleve COVID.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.