TIRANË, 16 janar/ATSH/ Presidenti Ilir Meta përkujtoi sot 159-vjetorin e lindjes së Heroit të Popullit, Bajram Curri.
Meta e cilësoi si një veprimtar të dalluar të Rilindjes Kombëtare, njërin nga udhëheqësit më të mëdhenj politikë e ushtarakë të kryengritjeve popullore për Pavarësinë dhe progresin demokratik të Shqipërisë, që gjithë jetën e tij ja dedikoi çështjes shqiptare.
“Më 16 janar 1862, lindi Heroi i Popullit, veprimtari i dalluar i Rilindjes Kombëtare, njëri nga udhëheqësit më të mëdhenj politikë e ushtarakë të kryengritjeve popullore për Pavarësinë dhe progresin demokratik të Shqipërisë, një nga djemtë trima më të shquar të Malësisë së Gjakovës, që gjithë jetën e tij ja dedikoi çështjes shqiptare, Bajram Curri”, u shpreh Meta.
“Vargjet shpërthyese dhe përherë aktuale të shkruara për të nga Fan Noli mbeten madhështore për fuqinë e përshkrimit të kësaj figure të ndritur kombëtare, që mbetet i gjallë në zemrën e çdo shqiptari patriot, për të cilin Atdheu është i pari, mbi gjithçka tjetër”, u shpreh Meta. /j.p/