Zyrat e Punës/ Zengjina nga Kruja falë ndërmjetësimit u punësua si edukatore

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Numri i të punësuarve në fund të vitit 2020 rezulton të jetë 55% më i lartë, krahasuar me vitin 2012.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se krahas shumë faktorëve, si përmirësimi i klimës së të bërit biznes, shtimi i investimeve, ulja e taksave apo politikat fiskale të ndjekura si ajo e taksimit progresiv, rol në rritjen e punësimit në vend kanë luajtur edhe Zyrat e Punës përmes ndërmjetësimit.

Denaj publikoi historinë e Zengjinës nga Kruja, e cila falë ndërmjetësimit nga Zyrat e Punës u punësua si edukatore pranë një kopshti privat.

“Në vitin 2020 ndërmjetësuam punësim për çdo qytetar, që kërkonte një punë përmes Zyrave të Punës”, tha ajo.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësimit në harkun kohor të 7 viteve ka ndërmjetësuar mbi 190 mijë punësime.

Në fund të vitit 2020 numri i të punësuarve në regjistrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve llogaritet 700 mijë nga 459 mijë që ishte në fund të vitit 2013. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.