Zbulohet pse ilaçi i kancerit të fshikëzës vepron vetëm në 40 % të pacientëve

ROMË, 15 janar /ATSH-ANSA/ – Shkencëtarët kanë zbuluar se përse “mitomicina”, ilaçi më i përdorur në kimioterapinë për kancerin e fshikëzës, funksionon vetëm në rreth 40 % të pacientëve, ndërsa pjesa tjetër e tyre ka rikthim.

Çelësi qëndron në një proteinë tumorale, që mund të përdoret si bioshenjues.

“Ne donim të kuptonim pse mitomicina funksionon në rreth 40 % të pacientëve, ndërsa te të tjerët ka një rikthim”, shpjegon Maria Rescigno, profesoreshë e Patologjisë së Përgjithshme në Universitetin “Humanitas”.

Është parë se, në disa pacientë, ky ilaç funksionon edhe si aktivizues i sistemit imunitar, duke zgjuar përgjigjen kundër tumorit.

Mitomicina aktivizon një sinjal, që nxit qelizat e sistemit imunitar të “hanë” qelizën kancerogjene.

“Është një mekanizëm veprimi i mitomicinës i papërshkruar kurrë më parë” vazhdon Rescigno.

Me fjalë të tjera, nëse qeliza tumorale shpreh një proteinë të caktuar, e cila funksionon si shenjuese, ajo do të vdesë.

Pacientët që i përgjigjen më së miri terapisë janë ata me këtë shenjues.

Studiuesit vazhduan të kontrollonin për praninë e shenjuesit në 52 pacientë, duke zbuluar se ata që nuk e kishin atë nuk i përgjigjeshin mitomicinës.

Në këtë mënyrë, sipas studiuesve, do të jetë e mundur të parashikohet përgjigja ndaj trajtimit dhe të zgjidhet terapia më e përshtatshme./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.