U shmangën situata si ato të përmbytjeve të 2010/ Investime strategjike në pikat kyçe

TIRANË, 15 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “jo vetëm kemi shumëfishuar investimet në raport me të shkuarën, por kemi investuar në mënyrë stratetegjike gjë që shmangu situatat e mëparshme të përmbytjeve”.

Në konferencën e përjavshme për shtyp e cila u fokusua te situata e përmbytjeve, Rama tha se “shifrat nuk i tregojnë të gjitha, sepse nuk është thjesht çështja që kemi shumëfishuar investimet në raport me të shkuarën, por çështja është edhe se ku kanë shkuar investimet”.

“Është investuar në mënyrë strategjike e jo taktiko-politike si në të shkuarën, merri lekët dhe shpërndaji për politikë dhe qëllime elektorale. Ne kemi investuar për qëllime strategjike, kemi prekur pikat kyçe pavarësisht se çfarë impakti elektoral mund të kenë pasur këto ndërhyrje. Nga ana tjetër kemi përcaktuar investimet prioritare, pastaj ato dytësore e me radhë”, tha Rama.

Por sipas Ramës vlen të theksohet edhe cilësia e investimit, pasi në të shkuarën shohim shifra se është investuar për x kanale kulluese, por nuk kemi gjetur asnjë kanal kullues të zhbllokuar tërësisht”.

“Ndaj jo vetëm ndodhnin përmbytje me pak reshje, por ndodhnin edhe ato përmbytjet katastrofike që bënin të evakuoheshin mijëra njerëz nga shtëpitë, por edhe uji donte javë të tëra për tu larguar. Kalbej dynjaja”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “krahasimi me 2010 bëhet vetëm për një arsye, sepse kemi pasur sasi reshjesh apokaliptike dhe kemi marrë një moment shumë kritik nga pikëpamja e reshjeve siç ishte viti 2010, jo thjesht krahasimi qeveri me qeveri”.

“Në 2010 u evakuuan mijëra njerëz nga qyteti i Shkodrës, ku për disa javë u krijua shërbimi taksi me varka. Nuk është metaforë, na bën shumë mirë kujtesa kur bëjmë vlerësime”, tha Rama.

Por sipas tij, “jo çdo gjë e ka në dorë robi”. “Nuk e di a ju kujtohet para ca vitesh përmbytja e Parisit kërcënoi edhe koleksionet e Luvrit për nga niveli i ujërave, apo përmbytja e madhe e Gjermanisë, përmbytja në Hungari dhe në veriun e Italisë, në Genova që e çoi llucën deri në gjysmën e kateve të para. Ka situata që nuk arrin dot t’i përballosh për arsye objektive. Vërtetë mund të ketë një moment që futet nën ujë një bulevard, ndodh në Vlorë, por ka akoma 3 ndërhyrje për të bërë për të mbyllur gjithë ciklin në kanalizime dhe kjo do ta lehtësojë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Rama solli në vëmendje faktin se “kur u bë kryetar bashkie Tirana ishte si Shkodra, vetëm me një shi në kohë vere”.

“Kur uji qëndron me javë si në Shkodër, ishte paaftësia dhe verbëria e robit. Janë dy gjëra të ndryshme, ne mund të kemi situatë kur mund të kemi prani uji në rrugë se ne nuk jemi sot akoma në kushtet kur kemi mbyllur ciklet e gjithë kanalizimeve por kemi bërë ujësjellës e kanalizime në këto vite më shumë se në të gjitha vitet e marra së bashku. Brenda vitit 2021 do të kemi mbyllur 24 orë ujë të pijshëm dhe në vitin 2022 Tirana do të ketë 24 orë ujë të pijshëm kudo. Por të mos harrojmë se do të ketë akoma punë për të bërë për ta çuar në çdo cep të çdo fshati”, tha Rama, duke shtuar se “janë volume të mëdha investimesh”.

Kryeministri solli në vëmendje projektin e rehabilitimit të lumit Gjanica në Fier, që shmangu përmbytjet në qytet.

Kryeministri theskoi se çdo familje e dëmtuar tani nga përmbytjet do të dëmshpërblehet sipas ligjit, por numri i banesave të dëmtuara është krejt minimal dhe iu takon bashkive të bëjnë vlerësimet.

“Ne do të bëjmë atë që na takon. Në zonën e Obotit e vetmja pikë ku ka pasur problematikë, për bagëtitë është garantuar ushqimi nga Ministria e Bujqësisë. Pjesa më e madhe e tokave të përmbytura këtë herë janë joproduktive. Nuk ka dëme të konsiderueshme, por çdo dëm që ligjërisht duhet kompensuar do të kompensohet. Ne kemi kompensuar edhe dëmet e përmbytjeve të 2010, i kemi paguar ne”, tha Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.