Rruga Vlorë-Orikum/ Meta letër ministres së Financave: Zhbllokoni fondet e investimeve në rrugë

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është përgjigjur shkresës dërguar në adresë të tij nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, lidhur me për projektin e “Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”.

Në letër, e cila për dijeni i është dërguar edhe Kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, deputetëve të Kuvendit, Këshillit të Ministrave si edhe kreut të bashkisë Vlorë, Meta i kërkon ekzekutivit të mos penalizojë Vlorën, por të zhbllokojë fondet e investimeve për rrugët.

“Siç dhe ju e dini fort mirë, ka patur disa komunikime shkresore, ashtu si dhe deklarata publike të Presidentit të Republikës, dhe autoriteteve të autorizuar prej tij, mbi kërkesën e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për lëshimin e autorizimit për plotfuqi për  nënshkrimin e marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e “Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”. Fatkeqësisht, pavarësisht këtyre komunikimeve shkresore, dhe publike, nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nuk ka patur reflektim dhe veprim në drejtim të ndjekjes së një procedure të mbështetur në Kushtetutë dhe ligj, por vijohet e njëjta linjë paligjshmërie dhe mos reflektimi”, thuhet në letrën e Presidentit.

“Shpreh keqardhjen se si Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si institucioni kryesor që përgjigjet ligjërisht për financat e vendit, përfshirë dhe menaxhimin e borxhit, dhe që duhet të ndjekë me rigorozitet procedurat e kërkuara nga ligji, arrin në këto konkluzione. Legjislacioni në fuqi kërkon respektimin rigoroz të procedurave, me qëllim ruajtjen e interesit shtetëror dhe bërjen transparente të çdo procedure të ndjekur”, vijon Presidenti në letrën e tij.

“Lidhur me këtë qëndrim, tërësisht të paargumentuar në terma ligjorë, duhet të mbani në konsideratë: Vetë termi “rialokim” që ju përdorni, në terma financiarë, do të thotë rishpërndarje fondesh brenda të njëjtit buxhet, që është ai i buxhetit të shtetit. Autoritetet Shqiptare nuk kanë kompetencë të rialokojnë fonde që i përkasin një financimi të huaj, dhe që për më tepër as nuk janë disbursuar dhe përdorur brenda buxhetit të shtetit.

As në terma ligjorë, as në terma financiarë, nuk mund të flitet për “rialokime të marrëveshjeve të huasë”, siç referoni në shkresën tuaj. Rialokimi mundet vetëm të kuptojë transferimin e fondeve, dhe kurrësesi të marrëveshjeve që për më tepër tashmë nuk ekzistojnë as ligjërisht. Nëse do të ishte vetëm një rialokim, atëherë lind pyetja për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë: – Përse nevojitet një marrëveshje për të rialokuar fonde të financimit të huaj? Argumentet tuaja në këtë drejtim, janë jashtë logjikës juridike, kushtetuese dhe ekonomike.  Prandaj kërkojmë që të vlerësoni situatën me gjithë stafin tuaj, që mesa duket ju ka keqorientuar të parashtrojë për zgjidhje rastin në një rrugë pa krye dhe në kundërshtim me ligjin. Për më tepër, në terma ligjorë, nuk mund të flitet as për rialokim të fondeve të dhëna një herë me një marrëveshje huaje të ratifikuar me ligj, kur kjo marrëveshje është denoncuar (tërhequr) dhe zgjidhja e saj është ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës”, thekson në letrën e tij Presidenti.

Presidenti në letrën e tij nënvizon se, “në terma shumë bazikë ligjorë, që të ketë rialokim fondesh, minimalisht duhet të ketë një marrëveshje në fuqi dhe fondi të jetë përfshirë tashmë në buxhetin e shtetit për qëllimet që marrëveshja ka planifikuar. Dhe marrëveshja në fjalë e lidhur në vitin 2017, nuk është më në fuqi, pasi qeveria shqiptare për fat të keq, ka hequr dorë nga kjo marrëveshje, duke ndërprerë një investim të pritur prej kohësh nga banorët e Bashkisë Selenicë dhe duke cenuar kështu të gjitha pritshmëritë legjitime që ata kishin krijuar që prej prezantimit të projektit të Lumit të Vlorës”.

“Çdo marrëveshje e re, sidomos kur bëhet fjalë për një objekt të ri investimi, me kohëzgjatje të re huadhënie, referuar programit që synon të mbulojë me financim, duhet të kalojë sërish në procedurën e negocimit (veçanërisht të elementëve që lidhen me normën e interesit, maturimin, mënyrën e disbursimit, etj.), miratimit në parim, nënshkrimit, e më pas miratimit përfundimtar, për të ndjekur procedurën e hyrjes në fuqi sipas ligjit. Në rastin konkret, ju vetë duhet të jeni e qartë se, po të bëhej fjalë për rialokim të fondeve të së njëjtës marrëveshje dhe brenda termave të saj, nuk do të kishit sjellë kërkesë as për autorizim për plotfuqi nënshkrimi, e as më pak do të kishit çuar një draft për miratim në parim nga ana e Këshillit të Ministrave”, vijon Meta në letrën drejtuar ministres së Financave dhe Ekonomisë.

“Referuar sa më sipër, kam kërkuar përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për lidhjen e marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e “Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”, vijon letra.

“Duke qenë se kësaj shkrese ju, si ministër i Financave dhe Ekonomisë, ende nuk i keni kthyer përgjigje, keni mundësinë më të mirë të reflektoni mbi kërkesat dhe orientimet që përmban ajo, por dhe orientimit që përmban kjo shkresë, duke riparuar të metat e rënda të praktikës dhe ripërcjellë kërkesën sipas procedurës që kërkon legjislacioni në fuqi. Në momentin që Presidentit të Republikës do të paraqitet kërkesa dhe dokumentacioni siç e kërkon Kushtetuta dhe ligji, si gjithmonë, nëse dokumentacioni do të jetë i rregullt, menjëherë do ta shqyrtoj këtë”, përfundon letra e Presidentit. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.