REPORTAZH – Dimri i acartë i të pastrehëve nga tërmeti në Kroaci

SIBIC, 15 janar /ATSH-AFP/ – Është ngricë, por duhet duruar, çfarë mund të bëjmë tjetër? Në pjesën qendrore të Kroacisë, Bara Vrbanac, 75 vjeçe, ngjitet me vështirësi në kontejnerin e mbuluar me dëborë, ku ajo kalon netët që kur një tërmet shkatërrimtar e bëri shtëpinë e saj të pabanueshme.

Ajo bën pjesë mes qindra familjeve të strehuara në rulotë, kontejnerë dhe streha të tjera të përkohshme, pas tërmetit që shkaktoi vdekjen e shtatë personave më 29 dhjetor dhe shkatërroi shtëpi, ferma dhe shkolla.

Dimri nuk është i lehtë në rajonin e Sisakut, në zemrën rurale të Kroacisë, ku shenjat e luftës për pavarësi në vitet 1990 janë akoma të dukshme.

Shumë nga banorët e këtij rajoni të varfër bujqësor nuk duan të largohen sepse u duhet të kujdesen për kafshët e tyre, si Bara Vrbanac. Ajo është e tmerruar nga tronditjet që vazhdojnë të lëkundin rajonin.

Por, ajo nuk mund të lërë gjashtë dele dhe dy dhi që e lejojnë atë të bëjë djathin me të cilin mbijeton. Për të mos përmendur macet dhe qenin e saj.

“Unë jam vazhdimisht e frikësuar”, theksoi e moshuara, e veshur me të zeza deri te shamia që mbulonte kokën.

“Kjo është gjëja më e keqe që kam përjetuar ndonjëherë dhe fatkeqësisht e kam parë, luftë, operacione kirurgjikale”, thotë Bara.

E mbështetur në shkopin e saj,  ajo nganjëherë shkon gjatë ditës në shtëpinë e saj me tulla të kuqe e mbushur plot të çara.

Natën, ajo fle në rimorkion e saj të mbuluar nga një fletë plastike në përpjekje për ta mbrojtur atë nga bora.

Një ngrohës i vogël elektrik është instaluar në këmbët e shtratit.

Në fshatin aty pranë Petrinja, bora ka mbuluar rrënojat e ndërtesave, rrugët me baltë janë mbushur me mbeturina.

Qirinj dhe një tufë lulesh shënojnë vendin ku një vajzë 13-vjeçare humbi jetën nga shembja e një muri së bashku me pesë banorë të të njëjtit fshat dhe një që i binte organos në një kishë.

Çdo ditë, njerëzit mbajnë radhë rreth kamionëve ku vullnetarët shërbejnë vakte të nxehta të përgatitura nga kuzhinierë.

Sipas Marin Medak, kreu i shoqatës kombëtare të shërbimeve të ushqimit me iniciativën e projektit, më shumë se 150 000 vakte janë siguruar nga 100 restorante kroate.

Vetëm katër orë pas tërmetit, 800 vakte ishin shpërndarë tashmë.

“Shkova atje menjëherë”, thotë Marin Medak, restorator në Zagreb.

“Temperatura është minus 2 gradë Celsius dhe këta njerëz kanë nevojë për diçka të nxehtë”, shtoi ai.

“Rreth 50 000 persona janë prekur nga dëmtimi i shtëpive dhe fermave rreth epiqendrës”, sipas autoriteteve lokale.

Kjo i bën disa të pyesin për përvetësimet dhe boshllëqet e mundshme gjatë rindërtimit të pasluftës.

Prokurorët antikorrupsion kanë njoftuar një hetim.

“Shumica dërrmuese e shtëpive në fshatin e vogël të Sibic tani janë të pabanueshme”, thekson Josip Likevic, një mekanik 41-vjeçar që jeton në fshatin me rreth 60 persona./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.