“Nuk ka marrëveshje për detin me Greqinë”/ Rama publikon hartat: Me ligj të Berishës e Nishanit në 2008-tën, Shqipëria humb 1290 km2 dhe kufirin e vet detar

TIRANË, 15 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e djeshme se “nuk kemi arritur në një marrëveshje me Greqinë për çështjen e detit”, duke shtuar se “kemi bërë një punë shumë të mirë, kemi ardhur shumë afër, por në pikën që nuk gjemë dot dakordësi për impaktin e ishujve, ndaj do të shkojmë në gjykatë ndërkombëtare”.

I ftuar në një emision televiziv, Kryeministri Rama publikoi hartat e viteve 2001, 2008 dhe 2019, ku përcaktohet vija e drejtë bazë, që do të thotë se çdo marrëveshje dhe çdo ndarje e ujërave territoriale dhe zonës ekonomike bëhet duke u nisur nga kjo vijë.

“Në këto harta vija e drejtë bazë sipas ligjit 2001 përcakton kufirin e ujërave të brendshëm. Pra ajo vija e kuqe, të gjitha ujërat brenda profilit të thepisur i fut brenda dhe për të ndarë kufirin ku është uji territorial dhe ku shtrihet zona ekonomike, fillohet nga vija bazë e kjo ishte e 2001”, tha Rama.

Ndërkohë ai solli në vëmendje edhe hartën e 2008. “Ja çfarë bën Sali Berisha me propozim të Nishanit. Në vitin 2008 dhe Berisha, dhe Nishani, shikoni se çfarë i bëjnë Shqipërisë. Me ligj ia heqin vijën bazë dhe e fusin në profilin e vetë tokës. Shqipëria humb 1290 km2 dhe kufirin e vet detar. Del si vend si pa det fare. Dhe mbi këtë bazë në 2008 bëhet marrëveshja e famshme, ku përllogaritja e ujërave për të ndarë kufirin ujërat territoriale dhe zonën ekonomike niset jo nga vija bazë, por brenda atyre dhëmbëve, pra humbet territor”, sqaroi Rama.

Ndërkohë ai theksoi se në vitin 2019, PS me propozim të Gramoz Ruçit në parlament rifuti vijën bazë dhe e riktheu në gjendjen e mëparshme, por dëmi ishte bërë.

Rama solli si shembuj ilustrues hartën e Kroacisë për të sqaruar se si funksionon ndarja (Kroaci-Itali) me 12 milje dhe se si ndahet deti territorial dhe zona ekonomike.

Ndërkohë Rama solli një tjetër hartë duke ilustruar faktin se përse Greqia nuk ka mundësi fizike të shtrihet 12 milje përtej Korfuzit.

“Është një turp i madh që iu bëhet në sy shqiptarëve nga manipulatorë agresivë që nuk pyesin për Shqipërinë dhe bëjnë rolin e patriotit, nga ata të Vetëvendosjes në Prishtinë dhe ata këtu. Si u shit deti këtu? Nëse Greqia do të ishte shtrirë 12 milje nuk ekzistojnë mundësitë fizike për 12 milje nga Korfuzi në Sarandë dhe gjithë gjirin poshtë. Meqë këta thonë e mori Greqia, atëherë i bie që portin do ta ngremë në Memaliaj, anijet i kalojmë në lumin e Vlorës dhe marinarët i vendosim matanë Delvinës?! Ose ne marrim gjithë Korfuzin lindor dhe ia japim Erdoganit?! Nuk ka asnjë lidhje, dhe shqiptarët duhet ta kuptojnë se nuk ekzistojnë 12 milje, sepse në fakt duhet të jenë 24 milje që 12 t’i marrim ne dhe 12 Greqia”, tha Rama.

“Kam ardhur këtu të demaskoj këta ordinerë të cilët kanë ngritur një tymnajë të madhe dhe i përmenda kush janë, që helmojnë popullin shqiptar për thjesht dhe vetëm llogaritë e tyre. Llogari pushteti dhe paraje. Pushteti për të marrë karriget dhe paraje ata të tjerët që i mbështesin dhe sponsorizojnë në media për të arritur qëllimet e tyre”, tha Rama.

Rama kërkoi që media të verifikojë këto harta dhe të kuptoj nëse ka ndodhur apo jo kjo në 2001, 2008 dhe 2019.

“A ka qenë qeveria e Saliut dhe Nishani që ia ka hequr Shqipërisë vijën e drejtë bazë? Dhe shikoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. A ka humbur Shqipëria nga kjo apo jo? Dhe a është PS me Ruçin propozues që ka rikthyer këtu kufirin më minimal, ujërat e brendshme të Shqipërisë? Shikoni, a ka 12 milje dhe dilni dhe thuajani shqiptarëve të vërtetën që është e gjitha për të luftuar Ramën, qeverinë, i tregoni shqiptarëve se i hedhin benzinë flakës së ndasive dhe u thonë gjëra të paqena”, tha Rama.

Ai theksoi se “marrëveshja e bërë nga Sali Berisha, Ilir Meta dhe gjithë të tjerët nuk është rrëzuar nga unë, por nga Gjykata Kushtetuese, e cila nga të gjitha votimet që kanë pasur mbrapa konflikt politik, ka të vetmin votim 9 me 0”.

Ndërkohë Rama informoi edhe mbi vijimin e procesit. “Në fillim grekët nuk kanë dashur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe kam qenë unë dhe Ditmir Bushati, ministri ynë i Jashtëm dhe PS në shumicë, që ka thënë kjo nuk negociohet, ose do pranoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do uleni në tavolinë, ose këtu nuk ka negociata. Nuk është problemi ynë thoshte pala greke pse ka ratifikuar parlamenti një marrëveshje që nuk e pëlqeni. Pala greke thoshte që ne nuk njohim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi ne kemi një marrëveshje të ratifikuar, të firmosur nga ata që pa pikë turpi rrotullojnë hellin, me demek se duan të mbrojnë detin”, tha Rama.

“Mbasi grekët pranuan më në fund të ulen në tavolinë, dhe kjo ka qenë forca e diplomacisë shqiptare, u ulën në tavolinë dhe opsioni ynë i parë ishte Gjykatë Ndërkombëtare. Thanë nuk duam. Kemi filluar të negociojmë, kemi ecur dhe nuk kemi arritur dot të mbyllim marrëveshje”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “si përfundim nuk kemi arritur dot marrëveshje konkluzive”. “Ne kemi avancuar shumë në proces me ta. Nuk bëhet fjalë që ne do të marrim mbrapsht shumë më tepër se në 2009, por nuk ka marrëveshje, as shitje, as blerje. Për të shitur detin duhet shitur deri në Memaliaj, megjithë Ballshin dhe rafinerinë. Kemi bërë një punë shumë të mirë, kemi ardhur shumë afër, por në pikën që nuk gjemë dot dakordësi për impaktin e ishujve dhe prandaj do të shkojmë në gjykatë”, tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.