Nismë e re për të mbështetur hidroenergjinë e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Korporata Energjetike Shqiptare (KESH) në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare të Hidrocentraleve (IHA) dhe e mbështetur nga Sekretariati Shtetëror i Qeverisë Zvicerane për Çështjet Ekonomike (SECO) kanë nisur një fazë të re mbështetjeje për autoritetet, investuesit, dhe korporatat e hidroenergjisë në zbatimin e praktikave të mira dhe standardeve ndërkombëtare në zhvillimin e hidroenergjisë.

Kjo nismë e re, e financuar nga SECO ka për qëllim të kontribuojë në rritjen e qëndrueshmërisë së projekteve të hidrocentraleve, në përputhje me standardet ndërkombëtare, në 6 vende të Ballkanit Perëndimor.

Duke komentuar nismën, drejtori ekzekutiv i KESH, Benet Beci deklaroi se sfidat tona të ardhshme kanë të bëjnë me rritjen e prodhimit të energjisë dhe sigurimin e pavarësisë së energjisë elektrike, ndërsa në të njëjtën kohë, sigurojmë një prezencë pozitive mjedisore dhe sociale në komunitetet që jetojnë pranë hidrocentraleve, si dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm social, ekonomik dhe mjedisor.

“Prandaj, ne jemi të përkushtuar të adoptojmë praktikat dhe standardet më të mira të energjisë elektrike të qëndrueshme”, tha ai.

Programi i trajnimit do të shqyrtojë të gjitha aspektet e zhvillimit të projektit, duke përfshirë hartimin dhe dizenjimin, konsultimet me komunitetin, biodiversitetin dhe menaxhimin e rrezikut mjedisor. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.