Nis shërbimi për aplikim për pasaportë dhe kartë identiteti në Konsullatën e Shqipërisë në Bari

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Bari filloi sot me një shërbim të ri, atë të aplikimit për pasaportë dhe kartë ID.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot se,  “duke filluar nga data 15 janar Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari fillon me një shërbim të ri, atë të aplikimit për Pasaportë dhe Kartë ID”.

MEPJ fton të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në rajonet e Puglias, Molises, Basilikatës, Kalabrisë, Sicilisë dhe Sardenjës të aplikojnë për këtë shërbim në Konsullatën në Bari.

“Aplikimi për këto dokumente mund të bëhet online përmes platformës ‘e-Albania’. Pasi të jeni regjistruar në këtë platformë, do të logoheni sërish me kredencialet e juaja dhe më pas do zgjidhni shërbimin e dëshiruar”, bën të ditur MEPJ.

“Ju keni mundësi ta zgjidhni datën dhe orën individualisht online dhe Konsullata ju konfirmon me e-mail pranimin e aplikimit”, iu drejtohet MEPJ qytetarëve shqiptarë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.