Ndërtimi i qendrës së re shëndetësore nr. 1 në Tiranë/ Mjekët: Ambient dinjitoz për t’u shërbyer qytetarëve

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Qendra e re Shëndetësore nr. 1 në Tiranë, një investim i qeverisë, pjesë e Programit Kombëtar të Rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore u realizua në 6 muaj, gjatë periudhës së pandemisë.

Kryeministri Edi Rama solli sot një video me dëshmi të bluzave të bardha dhe qytetarëve që marrin shërbim pranë kësaj qendre, të transformuar totalisht pas investimit të qeverisë.

Qendra shëndetësore nr. 1, nga disa ambiente të vogla dhe jo të mjaftueshme për qytetarët e njësive administrative nr. 1 dhe 2 në Tiranë të cilëve u shërben, tashmë është zhvendosur në një godinë të re, e cila garanton kushtet e duhura për 104 mjekë dhe infermierë si dhe për 100 mijë banorët që marrin shërbim në këtë qendër.

“Përveç komoditetit që na ofron ne si personel shëndetësor, ofron një ambient dinjitoz dhe një infrastrukturë më dinjitoze për marrjen e shërbimit edhe për pacientët”, u shpreh një mjeke.

“Këto kushte, këto ambiente që kanë krijuar, të japin një motivim për të vazhduar dhe për të ecur më përpara, të japin një shpresë, dashuri edhe respekt për punën”, tha një tjetër mjeke.

Ndërkohë qytetarët që marrin shërbimin pranë kësaj qendre tregojnë se ka qenë një gërmadhë dhe tani është shumë, shumë e mirë.

“Këto ambientet e sotme janë si ajo ëndrra që njeriu ka në sirtar për të punuar në një ambient që i jep kënaqësi, sepse puna ka ngarkesë por ka edhe kënaqësi, është e pakrahasueshme”, tha një tjetër mjeke.

Sipas bluzave të bardha që ofrojnë shërbimin në këtë qendër shëndetësore, ajo tashmë përmbush të gjitha standardet e një poliklinike.

“Jemi shumë të kënaqur që tashmë ëndrra jonë u realizua”, tha një prej infermiereve. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.