Murrizi: Në zgjedhjet e 25 prillit garoj si subjekt politik më vete

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Kryetari i Lëvizjes Demokratike Shqiptare, Myslim Murrizi deklaroi mbrëmjen e së premten, gjatë një interviste televizive se në zgjedhjet e 25 prillit do të shkojë i vetëm, duke mos bërë koalicion me asnjë parti politike.

“Nuk jam prerja e politikanëve lider që kurrë nuk kanë guxuar të kandidojnë apo të riskojnë për të marrë vota në katund të vet, madje një pjesë jo e vogël e tyre fshihet si djalli temjanit, nga vendet që vijnë flas, nga vendet që kanë origjinën”, tha Murrizi.

“Nuk kam ndërmend të garoj, përsa kohë do të merrem me politikë, nën sqetullën apo çadrën e asnjë subjekti të madh politik. Unë jam regjistruar ditën e mërkurë në KQZ, si subjekt politik Lëvizja Demokratike Shqiptare më vete. Kjo nuk do të thotë që pas zgjedhjeve, unë mund të rri non-stop në opozitë nëse do të kem mandate në Kuvend’’, u shpreh ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.