Investimi 2 miliard euro/ Porti i Durrësit do të transformohet në një ëndërr të këtij rajoni

TIRANË, 15 janar/ATSH- A. Fortuzi/- Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar mbrëmjen e të enjtes se delegacioni shqiptar në Dubai ishte anë një vizitë  për të negociuar zbatimin e marrëveshjes për një sërë projektesh të rëndësishme ekonomike në vendin tonë, duke nisur nga Porti i Durrësit dhe projekte të tjera në fushën e rindërtimit.

Kryeministri Rama, garantoi se, nëse ministrat dhe drejtuesit e pushtetit lokal në Durrës e Tiranë, do të kishin qenë në Dubai për t’u harbuar për qejf, nuk do të kishin më vend në Partinë Socialiste.

“Së pari dua t’i them të gjithë atyre që e kanë parë videon pa patur informacionin, që lidhet edhe me këtë darkë, me vizitën e ministrave, ku kishte gazetarë bashkë me delegacionin, që edhe unë nëse nuk do dija arsyen që ky grup me këta ministra janë atje, do kisha patur të njëjtin reagim. Sepse lidhen bashkë Dubai, që për ne lidhet me vend luksi e qejfi dhe anëtarët e qeverisë që janë në një nga lokalet më të famshëm në botë. Nga informacioni që unë kisha, më bëri të mos shqetësohem.”,- tha Rama.

“Video është xhiruar nga vetë lokali, është postuar në Instagramin e lokalit për të nderuar, atë tavolinë që ishin të ftuar nderi atë natë nga pala mikpritëse. Udhëtimi i gjithë delegacionit shqiptar në Dubai, nuk ishte për pushime. Ishte udhëtim pune, me ftesë të palës mikpritëse, pasi kemi arritur një marrëveshje qeveritare me qeverinë e Emirateve të Bashkuara, pjesë e të cilës ishte dhe një paketë investimesh për të cilat në rastin konkret unë kam punuar me vite dhe me shumë përpjekje. Dhe, është arritur më në fund duke kombinuar, ose duke u kombinuar nga rrethanat, tërmeti, me përfshirjen e Princit të Kurorës, që është njeri i jashtëzakonshëm, një njeri që e njeh mirë Shqipërinë, ka ardhur në Shqipëri, Mohammed bin Zayed. Me ndihmën e babait të tij, kanë ardhur dhe në Kosovë dhe kanë ardhur për të ndërtuar aeroportin e Kukësit, që të bënte të mundur, që ndihmat që vinin për Kosovën të vinin përmes atij aeroporti, por që pas kësaj pati një ftohje të marrëdhënieve me Shqipërinë për arsye të qeverive të mëparshme dhe që më tej, nuk ka qenë një gjë e lehtë për të rivendosur marrëdhëniet me këtë njeri”,- tha Rama.

“Dhe kur kam shkuar, në takimin e  dytë i kam thënë, po investon në rajon, po bën gjithë atë investim fondesh për të transformuar vijën lumore të Beogradit, po investoni në Mal të zi, hajdeni edhe në Shqipëri. Kur shkova t’i kërkoja mbështetje për Durrësin, tërmetin, ai u angazhua për ndërtimin e 2 000 apartamenteve, që pritet të nis puna, projektet janë gati. Ideja ime e vjetër, ka qenë që në fillim fare, që ne duhet ta heqim këtë port, që është një gangrenë mjedisore, një port skandaloz, një turp që është në qendër të qytetit”,- tha Rama.

“Jeni marrë me darkën, me biftekun, me kripën gjithë këto ditë… Por, e vërteta është se darka u hëngër, u zu në fyt, iku mbaroj, ajo që mbetet është se do ta kthejmë Durrësin në një ëndërr të këtij rajoni. Ne kemi arritur të nënshkrojmë marrëveshjen me qeverinë e Emirateve të Bashkuara dhe kjo marrëveshje ka shkuar dhe në Parlament.  Në këtë proces, pala mikpritëse i ka bërë ftesë delegacionit tonë. Princi i Kurorës, ka vendosur Muhamet El Alabarin, që drejton “Emmar Group”, një nga personalitetet më të mëdha të Lindjes së Mesme për të çuar përpara si projektin e rindërtimit të apartamenteve, si këtë projektin e Portit. Pala mikërpitëse i ka pritur dhe ajo ka përcaktuar axhendën ku do ulenin ku do hanin etj, pra shpenzimet të gjitha të mbuluara. Pala shqiptare ka paguar vetëm biletën e udhëtimit, një biletë ekonomike, si në ditën e parë që kam ardhur në pushtet. Sikundër dhe këtu kur ftojmë miq, ne nuk i themi shkoni këtu e shkoni atje, por i çojmë në vendet më të mira, më të bukura të Shqipërisë, kjo ka qenë e gjitha. Pala mikëpritëse ka të gjithë kalendarin e ditëve, ka të gjithë axhendën. Nëse këtu kërkoni ndonjë fajësi, nuk ka fajësi këtu. Çdo gjë është bërë nga pala mikpritëse”,- tha Rama.

“Pala mikpritëse ka ftuar përfaqësues të qeverisë. Ministri i Rindërtimit është ai që ndjek të githa procedurat që lidhen me këtë pjesë. Ministrja e Infrastrutkurës lidhet me portin. Përfaqësuesit e pushtetit vendor janë ftuar për punët e drejtpërdrejta në Durrës dhe për interesimin e kompanisë në Tiranë, që do të sjelli ekonomi, standard jetese etj etj… Po ashtu ekonomia ka shtuar një grup sipërmarrësish nga rajoni, jo vetëm nga Shqipëria”,- tha Rama më tej.

Kryeministri Rama tha se Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e një prej grupeve më të mëdha në botë. “Qeveria e Shqipërisë ka bërë një punë fantastike, sepse kemi tërhequr vëmendjen e një prej grupeve më të mëdha të botës. Dhe është e habitshme se është njësoj, si për COVID, si për respiratorët, si për vaksinën, që kur Shqipëria bën diçka të mirë, këta janë aty për ta bërë blozë gjithçka. E drejta e dyshimit është e domosdoshme, por faktet janë ato ku duhet të bazohemi, nuk ka gënjeshtër më të madhe”,- tha Rama.

“Nuk bëhet fjalë për një kompani private që zgjedh qeveria e Shqipërisë. Jo, qeveria  ka bërë marrëveshje, ashtu siç kanë bërë dhe qeveritë e tjera me Emiratet e Bashkuara. Ato nuk futen në tendera, kompanitë e tyre të mëdha. Kompania që është caktuar është kompani me pjesëmarrje publike. Princi i Kurorës ka thënë që, po dua të investoj, shqiptarët i dua shumë, Edi Ramën e kam mik dhe dua që në Shqipëri të më nderoni”,- tha kryeministri.

“Këtu nuk bëhet fjalë për asnjë konflikt interesi. Që kur jam bërë Kryeministër dhuratat që më vijnë i takojnë shtetit shqiptarë. Që kur jam bërë kryeministër, makina e kryeministrit bashkë me shoqëruesit respektojnë çdo semafor dhe ministrat respektojnë çdo semafor dhe  rregullat e qarkullimit rrugor. Tjetra, që kur kemi ardhur në pushtet, kontrolli i pasurisë së ministrave bëhet në mënyrë periodike të rregullt. Ata që dalin atje e thonë që është trefishuar pasuria, flasin e nuk dinë çfarë flasin. Dosjet që çojmë ne, janë një pjesë publike një pjesë private dhe i takon ILDKP, të hetojë. Dhe nëse gjen inspektori një shkelje, nuk ka shans të mos e denoncojë, se shkon në burg inspektori pastaj”, u shpreh Rama.

“uke qenë se jam 198 cm, jam besnik i shprehjes së Sokratit, që e pyesnin se si ka mundësi që ti si ke të gjitha, kur me këtë mendje nën këmbët e tua është gjithandej ar. Po e vërtetë është, por unë nuk përkulem dot”,- përfundoi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.