Identifikimi elektronik i votuesve dhe verifikimi paszgjedhor/ Kualifikohet oferta

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vendosi kualifikimin e ofertës së paraqitur nga kompania “Smartmatic International Holding B. V”, sa i përket identifikimit elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre paszgjedhor, njoftoi sot zyra për shtyp e KQZ-së.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në datën 14 janar 2021, përfundoi fazën e vlerësimit të ofertës dhe zgjidhjes teknike, të paraqitur nga operatori ekonomik “Smartmatic International Hlding B.V” pjesëmarrës në procedurën prokuruese me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre pas zgjedhor”, thuhet në njoftim.

“Kompania Smartmatic International Holding B. V, brenda afateve ligjore paraqiti dokumentacionin, zgjidhjen teknike dhe ofertën ekonomike me vlerë: 19.975.774,23 USD pa T.V.SH dhe e konvertuar në lekë referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë për datën 23.12.2020 me vlerë: 2,016,354,627.56 lekë pa TVSH”, thekson KQZ.

“Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pas shqyrtimit të dokumentacionit, ofertës ekonomike dhe zgjidhjes teknike vendosi kualifikimin e ofertës së paraqitur nga kompania Smartmatic International Holding B. V”, shton KQZ.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vijojë me fazën e negocimit të termave të kontratës me kompaninë fituese. Nëse negociatat rezultojnë të suksesshme dhe arrihet nënshkrimi i kontratës, do të fillojë procesi përgatitor për implementimin e sistemit për identifikimin elektronik të zgjedhësve”, përfundon KQZ. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.