TIRANË, 14 janar/ATSH/ Parku Natyror i Viroit, 3 km larg Gjirokastrës, edhe gjatë stinës së dimrit po tërheq vizitorë vendas dhe të huaj.
Peizazhi piktoresk dhe bukuria e liqenit, mirëpresin të apasionuarit e shëtitjeve në natyrë, ndërsa nuk mungojnë edhe turistët.
Bashkia Gjirokastër përkujdeset për pastrimin dhe mirëmbajtjen e zonës së parkut, mbjelljen e pemëve të reja, funksionimin e ndriçimit dekorativ, etj., duke krijuar një mjedis të këndshëm dhe tërheqës për vizitorët.
Peizazhet mbresëlënëse të këtij parku janë një mundësi e mirë për qytetarët dhe turistët. Mundësia e ecjes në këmbë apo me biçikletë anës së liqenit, por edhe shijimi i peizazhit shumëngjyrësh po tërheq gjithnjë e më tepër qytetarët, por edhe turistët gjatë sezonit turistik në këtë zonë, e cila është bërë pjesë e guidave turistike.
Të apasionuarit pas zhytjes kanë mundësi të eksplorojnë një burim, që mendohet se ka lidhje me 4 burime të tjera, Syri i Kaltër, Skotini, liqenin e Kallpaqit dhe Janinës.
Ndryshimet e kryera në parkun e ndodhur në veriperëndim të qytetit të gurtë, kodrat rreth tij dhe pamja piktoreske me liqenin dhe burimin e Mëmës së Viroit e bëjnë mjaft joshës këtë Monument Natyre, status të cilin e ka përfituar në vitin 1982 dhe vazhdon ta mbajë me krenari.
/k.s/j.p/r.e/