Dyfishi i reshjeve në janar të 2021-t, krahasuar me të 2010-s/ Vetëm 145 banesa të përmbytura nga 4610 në 2010-n

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se investimet e kryera nga qeveria dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bënë të mundur që përmbytjet nga reshjet të ishin disa herë më të vogla në janarin e 2021 krahasuar me janarin e 2010, në kushtet kur reshjet ishin të dyfishuara.

“Në vitin 2010 kemi patur dy situata përmbytjesh, 1 në janar dhe 1 në dhjetor. Kemi patur 4 239 mm shi në janar 2010 dhe 9 568 në janar të këtij viti. Pra më shumë se 2-fish reshje për të njëjtën periudhë. Në janar 2010 sasia e reshjeve në Shkodër ishte 1 145, ndërsa këtë vit 2 460 mm. Ndërkohë prurja në basenin e Drinit  ka qenë 2 483 m3/s ndërsa në 2021 prurja ishte 4 672 m3/s. Edhe këtu kemi dyfishim të shifrave. Shkarkimet e detyruara nga HEC-t e Drinit kanë qenë më të larta se prurjet. 120 % në janar 2010, këtë herë janë shkarkuar vetëm 45 % e prurjeve”, tha minsitri Peleshi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeminsitrin Edi Rama dhe ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi mbi situatën e përmbytjeve në vend.

Shkarkimet në HEC-e janë një detyrim kur basenet janë plot, theksoi Peleshi, por çështja është si veprojmë para se të arrijmë te ditët e reshjeve intensive dhe këtu luan rol menaxhimi i mirë i kaskadës.

“I është paraprirë situatës, me inovacion, me investime teknologjike. Është instalaur një software përmes së cilit KESH merr informacion deri në 5 ditë lidhet me prurjet, duke i dhënë mundësi institucionit për të menaxhuar situatën”, tha Peleshi.

Falë këtij investimi, shtoi ai, gjatë reshjeve të dendura që përfshinë vendin pak ditë më parë, HEC i Fierzës nuk ka shkarkuar fare, sepse vijoi Peleshi, u krijua rezervë prej 10 metrash për të punuar me porta të mbyllura gjatë pikut të reshjeve.

Ministri i Mbrojtjes po ashtu informoi se në janar të 2010-s, sipërfaqja e mbuluar me ujë në Shkodër ka qenë 11 400 ha dhe 14 280 në dhjetor, ndërsa këtë herë nuk shkoi më shumë se 4 080 ha në maksimumin e vet. Aktualisht bëri të ditur ministri, edhe rreth 1 mijë ha janë liruar, pasi uji është tërhequr.

Sipas ministrit, 4 610 banesa janë përmbytur ose kanë patur prezencë uji në 2010-n, ndërsa në 2021 kemi vetëm 145 banesa të përmbytura.

“Banesa me prezencë uji, apo dëme në pajisje elektroshtëpiake numërohen 2 649 në 2010-n dhe vetëm 12 banesa me prezencë uji e që kanë patur nevojë për evakuim në 2021”, informoi ministri.

Ndërkohë, tha ai, dëmet në bagëti llogariten mbi 30 mijë, në 2010 dhe zero dëme këtë herë të raportuara operativisht. Ndërsa, shtoi ai, është siguruar ushqimi për bagëtinë në Obot, Shkodër për 10 ditë.

“Investimet në programet e ujitjes e kullimit për parandalimin e përmbytjeve janë rritur me disafish, por më shumë se investimet, rol ka luajtur decentralizimi i funksioneve te pushteti lokal, ku kanalet sekondare menaxhohen nga bashkitë dhe ato primare nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, bëri të ditur Peleshi.

Përmbytjet, tha Peleshi, në të kaluarën ndodhnin jo aq nga reshjet, sa nga shkarkimet nga HEC-et, për shkak të keqmenaxhimit të kaskadës së Drinit.

“Këtë herë ne patëm nga veriu në jug situata kritike për skenar më të keq se sa kemi parë në të kaluarën. Vjosa është gjithmonë një kërcënim, sepse është lumi i fundit i vetmi i egër në Europë, që vetë kemi zgjedhur ta mbajmë të tillë për arsye mjedisore, por që nga ana tjetër na sfidon dhe na përball me emergjenca të cilat janë shumë të rënda dhe herë herë kritike.

Sipas Peleshit, intensiteti më i madh i reshjeve ishte në dy qarqet e veriut, Shkodër dhe Lezhë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.