Censi i shpendëve për të 6-in vit/ Klosi: Penalitete të forta për ata që gjuajnë në Zona të Mbrojtura

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Për të 6-in vit rresht Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë, organizata jofitimprurëse mjedisore dhe studentë zhvillon Censin e Shpendëve Dimërues 2021.

Ky census zhvillohet njëkohësisht në 146 vende të botës. Censi i shpendëve i jep një drejtim të ri turizmit, atë të vëzhgimit të zogjve në liqene dhe ligatina.

“Është një destinacion i jashtëzakonshëm turistik, por dëshmon edhe politikat e drejta për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrisht penalitetet e forta që janë vendosur tashmë për ata që gjuajnë në zonat e mbrojtura dhe që gjuajnë në përgjithësi në Shqipëri. Ashtu siç e dëshmojnë dhe shifrat e kësaj pjese të lagunës popullata e shpendëve është dyfishuar krahasuar me një vit më parë, kjo falë politikës shumë të fortë që ka realizuar Administrata për të pasur një mbrojtje të plotë dhe një qetësi të këtij territor”, tha ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi.

Sipas tij, turizmi mbi natyrën është pika jonë e fortë.

“Për këtë arsye ndërmerren dhe politika mbrojtëse në këtë fushë. Nëse krahasohen të dhënat 2020 me ato të 5 viteve më parë, kemi një rritje prej mbi 50 000 individësh më shumë që dimërojnë në Shqipëri, si dhe një numër prej 6 llojesh më shumë”, – tha Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “lë një ndijesi shumë pozitive që kudo në Shqipëri ne kemi shumë më tepër shpend, kemi shumë më tepër kafshë të egra, po evidentojmë pasuri të rralla që ne kemi në këtë aspekt dhe sa më shumë këto të shndërrohen në destinacione turistike për të tërhequr shumë herë më tepër turistë të vendit dhe të huaj, të cilët të tilla zona i kanë të vështira të gjejnë kudo nëpër rajone dhe më gjerë se kaq”.

Prandaj, vijoi Klosi, nëse ne kemi një konkurrencë, ku ne jemi shumë të fortë në turizëm, kemi natyrën.

“Politikat tona janë për mbrojtjen e këtyre sipërfaqeve dhe për kultivimin e tyre shumë herë më tepër për t’u shndërruar në destinacione turistike”, tha ministri Klosi.

Koordinatori kombëtar (pranë Wetlands International) Taulant Bino theksoi faktin se është një aktivitet që fotografon situatën e faunës së egër, shpendëve të egër ujorë në Shqipëri dhe iu bashkohet shifrave që vijnë dhe nga vendet e tjera të botës për t’i treguar se cilat janë popullatat e shpendëve.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.