BM – Mijëra të dhëna fshihen nga skedarët e policisë pas një gabimi

LONDER, 15 janar /ATSH-DPA/- Për shkak të një gabimi në kompjuter, mijëra të dhëna u fshinë nga kompjuteri qendror i policisë britanike, deklaroi Ministria e Brendshme.

Gazeta ”Times” raportoi se më shumë se 150 000 të dhëna arrestimi, me të dhëna të ADN-së dhe gjurmët e gishtave janë fshirë nga serverat.

Sidoqoftë, autoriteti theksoi se ”vetëm të dhënat e personave të cilët ishin lëshuar dhe për të cilët nuk ishin kryer hetime të mëtejshme ishin prekur nga kjo anomali”.

“Problemi teknik me kompjuterin e policisë kombëtare është zgjidhur dhe ne po punojmë me partnerë të zbatimit të ligjit për të vlerësuar ndikimin e tij”, deklaroi ministria.

“Çështja kishte të bënte me të arrestuarit të liruar për të cilët nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim i mëtejshëm dhe asnjë regjistër i personave kriminelë ose të rrezikshëm nuk ishin fshirë. Asnjë shënim tjetër nuk mund të fshihet”, shtoi ministria.

”Times” raportoi se gabimi të paktën mund të ndikojë në aftësinë e policisë për të rihapur çështjet./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.