Skema Kombëtare/ Përfitoi mbështetje financiare për sistemin e vaditjes, Xhaviti nga Petrela rrit cilësinë e prodhimin në ullishtari

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Xhavit Dervishi ka 15 vite që ka ngritur ullishtarinë e tij.

Fermeri nga Picalla, njësia administrative Petrelë, Tiranë, tregon me krenari për punën e bërë në gjithë këto vite.
“Kam disa vite që merrem kryesisht me kultivimin e ullirit, por edhe me pemëtore të tjera si shega dhe disa lloje të kumbullës. Me ullinj kam mbjellë gati 2 ha të tokës, nga e cila marr një prodhim të kënaqshëm deri në 60-70 kv. Ullinjtë që prodhoj në fermën time janë cilësorë dhe të mirë dhe kërkohen nga tregu”, – shprehet Dervishi.
Ai ka shtuar sipërfaqet e mbjella me pemëtore, por edhe ka modernizuar punën në sipërfaqet e mbjella me ullinj, falë subvencionimit që ka marrë nga skemat e mbështetjes.
“I ndjek informacionet mbi masat e mbështetjes dhe në vitin 2018 aplikova në Skemën Kombëtare të qeverisë, për zgjerimin e një pjese të ullishtes dhe fitova grantin për vaditjen me pika”, – tha Dervishi.
Me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Xhaviti ka vendosur ujitjen me pika, falë së cilës rrit cilësinë, por edhe volumin e prodhimit. e.xh/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.