LUBJANË, 14 janar /ATSH-STA/ – Qeveria sllovene miratoi livrimin e pagesave të prapambetura të buxhetit për Agjencinë Sllovene të Shtypit (STA) siç kërkohet nga paketa e 7-të e stimulit ekonomik, deklaroi sot Zyra e Komunikimit e Qeverisë (UKOM), sipas agjencisë sllovene të lajmeve, STA.
”Livrimi i fondeve u krye pas një mesazhi nga Komisionerja i Konkurrencës e BE-së, Margrethe Vestager, çka tregon mundësinë e një vendimi pozitiv të Komisionit Europian në lidhje me transferimin e ndihmës shtetërore për STA-në ndërsa qeveria pret një vendim përfundimtar”, tha UKOM.
Qeveria iu drejtua Komisionit Europian për të kërkuar nëse pagesa e shërbimit publik për STA mund të përbënte një ndihmë të paligjshme shtetërore, pas miratimit të një ndryshimi në aktin e 7-të të stimulimit ekonomik, që përcaktonte se detyrimet e prapambetura ndaj STA duhej të shlyheshin.
STA nuk kishte marrë pagesa të rregullta për shërbimin e saj publik për muajt tetor dhe nëntor apo një pagesë sipas një kontrate të veçantë për sigurimin e shërbimeve tregtare për administratën publike për dy muaj.
Nuk është ende e qartë nëse fondet e lëshuara do të jenë vetëm për shërbimin publik ose për shërbimet tregtare gjithashtu.
STA nuk e ka marrë ende transferimin në llogarinë e saj bankare./ a.jor.