Kryemadhi, takim me ambasadoren franceze në Shqipëri

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi mirëpriti sot në zyrën e saj ambasadoren franceze në Shqipëri, Elisabeth Barsacq.

Kryemadhi bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua në lidhje me prioritet e LSI, të cilat do të jenë të mishëruara në programin e qeverisë së re të ndryshimit të pas 25 prillit.

“Objektivat kryesore të LSI në qeverisje do të jenë nxitja e punësimit si prioritet i të gjithë politikave ekonomike, për të realizuar garantimin e ritmeve më të larta të rritjes ekonomike dhe punësimit në mënyrë të veçantë për rininë dhe gruan; arsimi cilësor dhe integrimi europian i vendit. Ndamë së bashku vlerësime mbi potencialin e zhvillimit të Shqipërisë, ku një vëmendje me e madhe duhet të shkojë për rritjen e numrit dhe përgatitjen e burimeve njerëzore”, informon Kryemadhi.

Sipas saj, vendi ynë ka nevojë për një politikë të jashtme që ndihmon biznesin vendas për të rritur eksportet, si dhe për të krijuar klimën e duhur për thithjen e investimeve të huaja.

“Teksa biseduam gjatë mbi ditët që ndajnë drejt 25 Prillit, i tregova me kënaqësi ambasadores Barsacq se në listat e LSI do të ketë përfshirje të të rinjve dhe grave me kapacitete të spikatura profesionale”, tha Kryemadhi. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.