GREQI – Athina kërkon ndihmën e BE-së për rikthimin e migrantëve në Turqi

ATHINË, 14 janar /ATSH-AFP/ – Greqia kërkoi sot ndihmën e Bashkimit Europian për rikthimin e menjëhershëm në Turqinë fqinje të rreth 1 500 migrantëve, të cilëve u është refuzuar e drejta e azilit dhe që Ankaraja refuzon t’i presë.

Kjo kërkesë nga ana e Greqisë iu dërgua Komisionit Europian dhe Frontex, Agjencia europiane për mbikëqyrjen e kufijve të jashtëm të BE-së dhe përfshin migrantët e vendeve të treta, jo europiane, që nuk kanë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare”, sipas Ministrisë greke të Migracionit dhe Azilit.

“Këto azilkërkues, të refuzuar, aktualisht po jetojnë në kampe pritjeje dhe regjistrimi në ishujt grekë të vendosur afër bregdetit turk. Rreth ​995 migrantë në Lesbos, 180 në Chios, 187 në Kos dhe 128 në Samos”, sipas deklaratës së ministrisë. 

“Europa duhet të krijojë një mekanizëm të përbashkët për t’iu përgjigjur këtij problemi brenda kornizës së paktit të ri (europian) mbi azilin, por edhe për të zbatuar procedurën e nevojshme ligjore operacionale për të lejuar këto kthime”, nënvizoi në një deklaratë Notis Mitarachi, Ministri Grek për Migracionin dhe Azilin.

Në kuadër të deklaratës së përbashkët BE-Ankara të 2016, të krijuar pas krizës migratore në vitin 2015 për të parandaluar migrantët të vijnë në Europë, Turqisë i kërkohet të kujdeset për azilkërkuesit e refuzuar në Greqi.

Në këmbim, BE duhet të mbështesë financiarisht Ankaranë.

Por, Turqia akuzon BE-në se nuk ka përmbushur detyrimet, ndërkohë që 3,6 milionë rrefugjatë, pjesa më e madhe sirianë jetojnë në territorin e saj./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.