Statistikat/ FSHF publikon skuadrat dhe lojtarët me më shumë driblime në Superiore

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar sot statistikat e lojtarëve dhe skuadrave që kryejnë më shumë driblime në Kategorinë Superiore.

“Nga kjo renditje e veçantë, në të cilën merren parasysh driblimet përgjatë 90 minutave dhe përqindjet e suksesit të driblimeve, mund të shihet se si Vllaznia, që kryeson kampionatin, është skuadra që kërkon më pak driblime, por që ka një përqindje shumë të lartë të driblimeve të fituara”, thekson FSHF.

“Vlen për t’u theksuar fakti se, në përgjithësi, ekipet që kërkojnë më pak driblime janë gjithashtu ato që fitojnë më shumë të tilla në përqindje. Kukësi e përmbys këtë trend duke qenë skuadra që kërkon më shumë duele dhe ajo me përqindjen më të lartë të suksesit në driblime gjatë këtij kampionati”, nënvizon FSHF.

Ndërsa, shton FSHF, “sa i përket lojtarëve në veçanti, duke marrë parasysh vetëm lojtarët që kanë luajtur më shumë se 50% të minutave në këtë kampionat, ne mund të nxjerrim këtë renditje”.“Ashtu si edhe në renditjen ekipore, lojtarët që kërkojnë më shumë driblime gjatë 90 minutave të ndeshjes mund të mos jenë më të mirët në fitimin e dueleve. Kjo do të thotë se ka lojtarë që shpesh kërkojnë driblimin nga forca e zakonit, ndërsa të tjerët shpesh e kërkojnë sepse janë të ndërgjegjshëm se mund të fitojnë duele. Gjithashtu, është interesant fakti se si driblimet mund të ndikojë tek lojtarët me karakteristika sulmuese, veçanërisht sulmuesit ose mesfushorët e krahut”, përfundon FSHF. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.