Rikualifikimi i bllokut urban në njësinë bashkiake nr. 2, Tiranë/ 522.7 milionë lekë për kompensimin e pronarëve

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rikualifikimi urban i bllokut që kufizohet nga bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Petro Nini Luarasi”, rruga “Taulantia”, rruga “Ali Demi”, Tiranë”.

Sipas këtij vendimi pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen do të kompensohen në vlerë të plotë, në shumën e përgjithshme prej 522 752 181 lekësh.

Meqënëse shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë, vendimi parashikon që vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 522 752 181 lekësh të përballohet nga buxheti i Bashkisë.

Ndërkohë vlera për shpenzimet procedurale në shumën 50 000 lekë do të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Vendimi parashikon që shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren Zyrtare” dhe afati i përfundimit të të jetë brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, do të kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit në zyrat e Bashkisë Tiranë.

Po ashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë do të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tiranë.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, do të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.