Policia e Shtetit, histori gjeneratash/ Efektivja Marku: Më pëlqen t’i shërbej qytetarëve për rend e siguri

TIRANË, 13 janar/ATSH/ “Ka qenë dëshira ime që e vogël për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit, pasi aty gjej veten. Kam pasur mundësi  zgjedhjeje pasi përfundova gjimnazin e përgjithshëm, por vendosa të filloj Akademinë e Sigurisë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të nisur profesionin tim që e kam pasur pasion gjithmonë”.

Kështu e nis rrëfimin e saj Ersuida Marku 22-vjeç, punonjëse policie në Komisariatin nr. 2 në një video të publikuar nga Kryeministri Edi Rama, në kuadër të 108-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit të cilën Rama e cilëson “histori gjeneratash”.

“Në verë të këtij viti përfundova Akademinë e Sigurisë, tani jam e pjesë e policisë së shtetit në komisariatin nr. 2. Edhe pse është një profesion i vështirë mua më pëlqejnë sfidat dhe t’i shërbej qytetarëve për rend e siguri”, – tha Marku.

Marku shprehet se që prej fillimit ka pasur mbështetjen e familjes dhe shoqërisë për këtë profesion, edhe pse thotë ajo “për ne femrat është më i vështirë se për kolegët meshkuj”.

“Si çdo profesion tjetër edhe Policia e Shtetit ka sfidat dhe vështirësitë e veta, ne çdo ditë përballemi me situata e persona të natyrave të ndryshme. E vlerësoj që në Policinë e shtetit ka plot të rinj e të reja si unë dhe besoj se në të ardhmen do të ketë plot djem e vajza që kanë dëshirë ti bashkohen kësaj strukture të rëndësishme të shtetit shqiptar”, – thekson Marku.

Ndërsa Ilirjan Mandro, dekan i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, tha se “është emocionuese që të bësh përshëndetje në këtë rast në këtë ditë të shënuar të Policisë së Shtetit, kur shikon brezat që ke nxjerrë që i shërbejnë komunitetit, që sakrifikojnë nga jeta dhe familja e tyre”.

“Pjesa e detyrës që ka Policia e Shtetit nuk është një detyrë përfituese për ata që mbajnë këtë uniformë, por është një detyrë shërbyese ndaj gjithë komunitetit dhe popullit. Nuk duhet që kjo uniformë të na bëjë si një forcë dhune, por duhet të jetë një mishërim i një shërbimi cilësor dhe brenda kontureve ligjore”, – tha Mandro.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.