Përjashtimi nga taksa e rentës minerare/ Meta kthen ndryshimin në ligjin “Për taksat kombëtare”

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Presidenti Ilir Meta ka kthyer sot ligjin nr. 151/2020 “Për një ndryshim në Ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.

Në arsyet e kthimit të ligjit, Meta thekson se, “ky ligj ka si qëllim përjashtimin nga taksa e rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare (ferrokromi, koncentratet e kromit dhe të bakrit), nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në fund të vitit 2023 (pra për 3 vjet), dhe aplikimin e normës së rentës minerare në masën 1/3, për vitin 2024 e në vijim”.

Meta shprehet se, “ky ligj pritet që të sjellë një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej afërsisht 500 milionë lekësh”.

Meta shton se, “ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, autonominë e pushtetit vendor, si dhe dëmton hapur interesin publik dhe pasurinë kombëtare”.

Konkretisht, nënvizon Meta, “ligji nr. 151/2020, bën një trajtim të favorizuar fiskal të një dege të industrisë në raport me degët e tjera”.

Meta thekson se, “kësaj nisme i mungon transparenca që nga momenti që është propozuar, vlerësuar, analizuar kostot pozitive dhe negative në ekonomi për këtë nënsektor dhe për nënsektorët e tjerë, deri te formalizimi i propozimit.

Meta thotë se, “është detyrë e pushtetit qendror që të thellohet në shqyrtimin e parametrave fiskalë dhe të mos krijojë një situatë ekstreme të trajtimit preferencial, duke favorizuar degë të veçanta të industrive”.

Sipas presidentit Meta, “kjo përzgjedhje lehtësuese vetëm për një sektor, e mbi të gjitha pa asnjë transparencë mbi: numrin e operatorëve ekonomikë që operojnë në këtë fushë;  nivelin e të ardhurave vjetore që gjenerojnë; kontributet që derdhin në buxhetin e shtetit, është një tregues më shumë për trajtim favorizues të subjekteve të caktuar ekonomikë, dhe jo ndërhyrje për të lehtësuar një sektor, mes shumë sektorëve të ekonomisë që po vuajnë pasojat e pandemisë Covid-19”.

Meta thotë se, “nëse lind nevoja për trajtim të tillë, kjo nevojë duhet të jetë e justifikuar dhe arsyetuar në terma konkretë, por gjithëmonë duke vlerësuar me shumë objektivitet dhe jo në kushte të tilla diskriminuese që sjellin pasoja për pasurinë publike”.

Meta shton se, “ligji nr. 151/2020, është miratuar pa asnjë konsultim me pushtetin vendor, që është përfitues direkt i një përqindjeje të të ardhurave nga renta minerare, duke cenuar parimin e decentralizimit dhe autonomisë së këtij pushteti, ashtu dhe interesin publik për të përfituar nga fondet e planifikuara për tu investuar në disa njësi të vetëqverisjes vendore”.

Meta gjithashtu nënvizon se, “ligji nr. 151/2020 nuk shoqërohet me asnjë argument konkret financiar që të justifikojë regjimin e ndryshëm fiskal”

Meqënëse burime natyrore të kësaj natyre janë jo të rinovueshme, qeveria ka një përgjegjësi të madhe për të siguruar që vendi dhe komuniteti do të marrin përfitime, duke përfshirë tatimet dhe rentën sepse një herë që burimi është shfrytëzuar ai nuk ekziston më.

“Pasuritë e nëntokës janë pasuri publike pronë e shtetit shqiptar dhe normalisht e gjithë qytetarëve shqiptarë. Në kushtet kur pasuria më e çmuar e nëntokës, e parinovueshme, trajtohet në këtë mënyrë, duke përjashtuar totalisht nga renta minerare subjektin/tet që e shfrytëzojnë atë, rezulton në fakt një situatë aspak e sinqertë e mirëadministrimit të kësaj pasurie, ku shteti përmes këtij ligji, me dashje, heq dorë nga e drejta e tij për të vjelë të ardhurat që i takojnë nga një pasuri që i takon të gjithëve, me qëllmin e vetëm që të favorizojë biznese të caktuar, që aktualisht kanë, apo mund të pajisen me autorizimet/lejet për ta shfrytëzuar atë”, thekson më tej Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.