Defektet në linjat e transmetimit për shkak të motit/ OST: Vihet në operim linja 220 kV Fierzë-Peshqesh

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) informoi sot se po vijon puna intensivisht për riparimin e çdo defekti të shfaqur në linjat e transmetimit të energjisë, për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin.

Gjatë pasdites së djeshme e në vijim, thekson OST, kanë qenë jashtë pune linja 220 kV Elbasan1–Fier, linja110 kV Ulëz-Kurbnesh dhe mëngjesin e sotëm pati një avari në linjën 220 kV Fierzë–Peshqesh.

“Grupet e punës të njësive operative nisën kontrollet dhe evidentuan dëmet që kryesisht ishin këputje përcjellësi dhe hapje harku. Pas një pune intensive të brigadave të linjave, mbrëmë në mesnatë janë vënë në punë linjat Elbasan1–Fier dhe Ulëz–Kurbnesh dhe sot në orën 09:15 u vu në operim në kohë rekord linja 220kV Fierzë–Peshqesh”, informoi OST.

Aktualisht, bën të ditur OST, vijon puna për riparimin e linjave 400/220 kV Koman–Kosova B dhe Fierzë–Koman ku brigadat e linjave po bëjnë të pamundurën për t’i kthyer në gjendje normale pavarësisht terrenit dhe kushteve të vështira atmosferike në të cilat po punohet.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.