Bushati dhe Ademi me banorë në Dajç: Në 8 vjet, qeveria nuk ka bërë asgjë

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Drejtuesi politik i PD në Shkodër, Helidon Bushati dhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi takuan sot banorët në Dajç me të cilët biseduan për problemet e përditshme.

“Për 8 vjet nuk ka hedhur asnjë qindarkë tek ne”, u shpreh një banor.

“Kjo qeveri nuk do t’ia dijë për ju. S’ka bërë asgjë në 8 vjet. Ekonomia shkatërrohet, papunësia rritet, varfëria ulur këmbëkryq, ata në qeveri trefishojnë pasuritë. Kjo është një qeveri që punon për vete. Prandaj, duhet të themi mjaft. Duhet ndryshimi, se nuk vazhdohet me një qeveri që mendon vetëm për vete”, tha Helidon Bushati.

Duke mbështetur banorët, kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi vuri në dukje mungesën e fondeve nga qeveria në lidhje me kullimin.

“Vetëm me investimet e Bashkisë, kemi bërë të mundur në të gjithë territorin e bashkisë, pastrimin në masën 78% të kanaleve të dyta dhe të treta që janë në kompetencën tonë. Imagjinoni çfarë ndryshimi i madh do të ishte për banorët në fshat, nëse qeveria do ta kishte politikë të vetën financimin për kullimin”, u shpreh kryetarja e bashkisë së Shkodrës.

Helidon Bushati i garantoi banorët se ky ndryshim do të bëhet pas zgjedhjeve, me drejtimin e qeverisë nga Lulzim Basha, i cili ka në plan të investojë çdo vit rreth 50 milionë euro vetëm në infrastrukturën për bujqësinë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.