TIRANË, 13 janar /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, miratoi sot vendimin për shtyrjen deri më 31 mars 2021 të mënyrës së klasifikimit dhe provigjionimit të kredive të ristrukturuara, i parashikuar në vendimin e mëparshëm të BSH-së, të kishte efekt deri më 31 dhjetor 2020.
Ky vendim u krijon hapësirë bankave tregtare për ristrukturime të mëtejshme të kredisë për ata klientë që ndeshin vështirësi të përkohshme financiare në kushtet e pandemisë.
BSH-ja bën të ditur se janë bankat tregtare ato, që do të vendosin për ristrukturimin e kredive mbi bazën e analizave individuale të kredimarrësve që paraqesin kërkesa të këtij lloji.
Në kushtet e situatës së vështirë ekonomike që krijoi pandemia, falë moratoriumit të pagesave në mars 2020, u shtynë mbi 25 mijë kredi bankare me vlerë të përgjithshme rreth dy miliardë euro. /a.a/r.e/