BRUKSEL, 13 janar /ATSH-DPA/ – Autoritetet e mbrojtjes së të dhënave në të gjitha vendet e Bashkimit Europian (BE) mund të iniciojnë proces për shkelje të të dhënave private kundër Facebook edhe nëse kompania është e vendosur në Irlandë, këshilloi avokati i përgjithshëm i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, Michal Bobek.
”Në rastin e Facebook, autoriteti i mbrojtjes së të dhënave të Irlandës është përgjegjës në radhë të parë për ndjekjen e procedurave për shkelje të ligjit të BE-së për mbrojtjen e të dhënave”, sugjeroi Bobek.
Gjithashtu edhe në shpjegimin ligjor theksohet se “autoriteti kryesor i mbrojtjes së të dhënave nuk mund të konsiderohet si zbatuesi i vetëm i GDPR në situata ndërkufitare dhe duhet të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet e tjera të mbrojtjes së të dhënave në fjalë”.
Kjo nënkupton se çdo autoritet përkatës i ndonjë vendi të BE-së mund të sfidojë Facebook ose kompani të tjera për mosrespektimin e Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE (GDPR) nëse qytetarët ose entitetet e tyre janë të shqetësuar.
Në vitin 2015, Belgjika filloi një procedurë kundër Facebook për aplikimin e “cookies” të autorizuara në profilet e përdoruesve belg.
Duke qenë selia në Irlandë, Facebook argumentoi se vetëm autoriteti i mbrojtjes së të dhënave të vendit është ai që mund të bënte ankesa të tilla. /os/