JOHANESBURG, 12 janar /ATSH-AFP/ – Varianti i ri i COVID-19, i identifikuar në tetor nga studiuesit në Afrikën e Jugut, po nxit një rritje të paparë të infektimeve në vend, duke ndërlikuar përpjekjet e autoriteteve për të frenuar përhapjen e tij.
I njohur me emrin 501Y.V2, varianti afrikanojugor nuk duket se shkakton forma më të rënda të sëmundjes, por shkencëtarët shqetësohen se ai është më ngjitës dhe më pak i kontrollueshëm.
“Duket se ky variant është më ngjitës se të mëparshmit dhe po bëhet gjithnjë e më i përhapur në të dhënat tona mbi Afrikën e Jugut”, tha bioinformaticienia Houriiyah Tegally, që po kryen punën e mbikëqyrjes gjenomike, si pjesë e ekipit që identifikoi variantin e Afrikës së Jugut.
“Nuk kemi parë një rritje të ngjashme më parë”, shtoi ajo.
Ai ka një mutacion të vendosur në proteinën spike, që e bën virusin më imun ndaj antitrupave.
Ky variant i ri mund të paraqesë gjithashtu një rrezik më të lartë riinfektimi.
Sipas studiuesve, ende nuk është plotësisht e qartë se nga e ka origjinën.
Të gjithë viruset evoluojnë natyrshëm dhe grumbullojnë mutacione, por ky variant duket se ka evoluar shumë më shpejt.
Teoria më e mundshme është se ka erdhur nga pacientë të imunosupresuar, sistemet imune të të cilëve e kanë më të vështirë t’i mundin infektimet. / /ervo/